Transmetuar më 03-05-2013, 22:35

Prishtinë 3 Maj 2013 NOA.al– Ambasadori amerikan në Beograd Michael Kirby ka thënë se Shtetet e Bashkuara e njohin pavarësinë e Kosovës dhe e konsiderojnë atë një shtet të pavarur që duhet të jetë anëtar i OKB-së

“Ju nuk e njihni pavarësinë e Kosovës dhe mendoni se shteti që nuk është i pavarur nuk duhet të ketë ulëse në OKB. Unë nuk e kam topin e kristaltë. Ne kurrë nuk folëm për këtë, e as Marrëveshja, kështu që mendoj se do të vazhdojmë të mos pajtohemi për këtë çështje”, ka thënë Kirby lidhur me anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Ai ka folur edhe për marrëveshjen e Brukselit. “Jam optimist dhe shpresoj se Marrëveshja do të funksionojë. Ka disa gjëra praktike që duhet përpunuar, si policia. Aktualisht, siç di unë, shumë policë kanë rroga të dyfishta: një nga Prishtina e një nga Beogradi. A do të jenë të lumtur me vetëm një rrogë? Nuk e di për ju, por nëse mua më zvogëlohet rroga, do të isha i pakënaqur. Ndoshta disa do të vendosin të transferohen në stacionin tjetër policor në Serbi”, ka thënë ai.

Qëllimi kryesor i SHBA-ve në Ballkan, sipas Kirbyt, është paqja dhe stabiliteti që mund të arrihen vetëm me negociata.

“Kur Kosova e shpalli pavarësinë, ne e kemi mbështetur. Në të njëjtën kohë, kemi kërkuar paqe këtu, e kjo do të thotë që palët të ulen e të bisedojnë,  për herë të parë të bisedojnë seriozisht. Serbisë i kemi thënë se nuk do të detyrohet të pajtohet me pavarësinë e Kosovës, por të normalizojë raportet. Kjo është ajo që përmban dokumenti. Kosova ka kërkuar të njihet si e pavarur nga Serbia, dhe nuk e morën atë që deshën”, tha ambasadori Kirby.t.k/a.h/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit