



Prishtinë 3 Maj 2013 NOA.al- Të gjitha aktivitetet ndërtimore në zonën e Prevallës do të ndërpriten. Kështu ka vendosur ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi i cili thotë se ky vendim u mor për shkak të degradimit të ambientit që i është bërë këtij vendi piktoresk në malin Sharr, në afërsi të Prizrenit. Sipas Gashit kushtet dhe kriteret për ndërtim në atë zonë janë tejkaluar.
“Bazuar në gjendjen e krijuar në zonën e Prevallës, tejkalimeve të kushteve dhe kritereve për ndërtim, si dhe mos respektimit të udhëzuesit të MMPH-së që i është dërguar Komunës së Prizrenit për mënyrën e zbatimit të planit urban për këtë zonë, është vendosur ndërmarrja e këtij hapi me qëllim të mbrojtjes së mjedisit”, thuhet në vendimin e kësaj ministrie sipas së cilës fakti që Komuna Prizren nuk ka marrë masat e duhura, ka shkaktuar degradimin e mjedisit.
Zona e Prevallës njihet si zonë ku shumë politikanë kanë ndërtuar vilat e tyre.
“Ky vendim i ri hyn në fuqi menjëherë”, shkruhet më tej në vendimin e MMHP-së./t.k/a.h/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





