

Shkodër, NOA.al – Gjatë një takimi me të rinjtë e qytetit të Shkodrës, nënkryetarja e Partisë Demokratike tha se, “më 23 qershor Edi Rama do humbë përsëri, ashtu siç ka humbur çdo radhë tjetër. Pastaj do të thotë përsëri na i keni vjedhur zgjedhjet, por unë jam e sigurt se ai do të ketë kohën për të shkruar Kurbanin e dytë gjatë verës së ardhshme, ndërkohë që ne do të qeverisim për një Shqipëri të zhvilluar dhe evropiane”.
Në takimin ku 3088 të rinj morën kartën e anëtarësisë së PD-së, Topalli deklaroi se të rinjtë janë vokacioni i Partisë Demokratike. “Ju jeni ëndrra jonë, çdo ambicie e juaja është objektivi ynë, çdo ëndërr e juaja është premtimi jonë”, u shpreh kryetarja e Parlamentit.
Kryetarja e Kuvendit shprehu bindjen se do të jenë po të rinjtë ata, që me votën e tyre më 23 qershor do t’i japin Partisë Demokratike një fitore plebishitare si ajo e marsit të vitit 1992.
“Më 23 qershor ne do të marrim një rezultat si në ‘92, sepse ju e keni bërë dhe në ‘92, sepse të rinjtë guxuan ta shpëtojnë Shqipërinë nga gremina dhe humnera e komunizmit dhe e diktaturës. Ju jeni brezi i lirisë. Ju jeni brezi i ëndrrave, brezi shpresës dhe optimizmit,” tha Jozefina Topalli në takimin me rininë e Shkodrës.o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





