Transmetuar më 03-05-2013, 19:08

Gjiganti i Internetit, Google, në faqen e parë të edicionit palestinez, ka ndryshuar emërtimin e “Territoreve Palestineze” në “Palestinë”.

Ndryshimi bën që google.ps të tregojë tani “Palestinën” në arabisht dhe anglisht, nën logon Google.

Terminologjia është një çështje politikisht e diskutueshme, pasi statusi përfundimtar i Bregut Perëndimor, Gazës dhe Jerusalemit Lindor nuk është përcaktuar ende.

Në muajin nëntor, Kombet e Bashkuara u kanë dhënë palestinezëve statusin e “shtetit vëzhgues joanëtar”, raporton RFE.

Vendimi i Asamblesë së Përgjithshme është kundërshtuar fuqishëm nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara. Më herët, palestinezët kanë pasur statusin e “entitetit vëzhgues”.

Në deklaratën dhënë BBC-së të premten, zëdhënësi i Google, Nathan Tyler, ka thënë:

“Jemi duke ndryshuar ‘Territoret Palestineze’ në ‘Palestinë’ në të gjitha produktet tona. Ne konsultohemi me një numër burimesh dhe autoritetesh kur emërtojmë vendet. Në këtë rast, ndjekim shembullin e OKB-së, Icann-it (Korporata e Internetit për Caktimin e Emrave dhe Numrave), ISO-në (Organizatën Ndërkombëtare për Standardizim) dhe organizatat e tjera ndërkombëtare”.

Autoriteti Palestinez ka mirëpritur vendimin e Google.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit