

Tiranë, NOA.al – Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje, një nga rrjetet më të mëdha të grave në Shqipëri, i kërkon partive politike, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe gjithë njësive të tjera të përkrahin ndryshimet në reformën elektorale që sigurojnë përfshirjen e grave në listat e kandidateve.
Në një deklaratë për mediat, ky Rrjet shpreh besimin se "zbutja e hapësirave ekzistuese gjinore në strukturat vendimmarrëse dhe politike është e vetmja mënyrë për të siguruar një demokraci funksionale dhe zhvillim të plotë të vendit”, citon noa.al.
Për këtë arsye, Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje i kërkon partive politike, institucioneve qeveritare dhe gjithë strukturave të tjera të respektojnë parashikimet ekzistuese ligjore për pjesëmarrjen e gruas në vendimmarrje. Në Korrik 2012, Shqipëria fuqizoi kuadrin ligjor dhe mekanizmat për sigurimin e pjesëmarrjes së gruas në proceset elektorale dhe në vendimmarrje.
Ligji parashikon që gratë kandidate të përbëjnë të paktën 30% të listës shumë emërore të partive, dhe që një në tre kandidate në fillim të çdo liste të jetë grua. Specifikisht ligji kërkon që gratë të jenë përfaqësuar mjaftueshëm në listat e kandidatëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe të gjitha sanksionet ligjore duhet të zbatohen me rigorozitet për shkelësit e ligjit.
Partitë Politike duhet të marrin përgjegjësitë e tyre për të pranuar rolin e pazëvendësueshëm të grave për shoqërinë dhe të përfshinë sa më shume gra ne lista. Sigurisht ne shpresojmë që partitë të tejkalojnë kërkesat minimale për të siguruar që sa më shumë gra të zgjidhen në poste drejtuese, por si minimum partitë duhet të zbatojne ligjin gjatë përgatitjes së listave për Zgjedhjet Kombëtare të 2013.
Të gjithë aktorët e përfshirë në zbatimin e kuadrit ligjor, përfshirë qytetarët, grupet e interesit, organizatat jo-fitimprurëse, përfaqësues diplomatikë, vëzhgues ndërkombëtare dhe media duhet të qëndrojnë vigjilentë për të siguruar që kuotat gjinore janë zbatuar dhe janë sanksionuar nga KQZ partitë qe nuk zbatojnë kuotat.
Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje është i dedikuar për arritjen e barazisë gjinore në vendimmarrje dhe forcimin e rolit të gruas në shoqërinë shqiptare. Anëtaret e kësaj organizate përfshijnë përfaqësues nga të gjitha partitë politike, nga spektri i majtë dhe i djathtë, shoqëria civile dhe media.o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





