Transmetuar më 03-05-2013, 17:03

Shkup, NOA.al – Zëvendëskryeministri për çështje evropiane në Maqedoni, Fatmir Besimi sot në një takim joformal me gazetarët me rastin e Ditës botërore të Medias i ka dëgjuar vërejtjet nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve (SPGM) për Projekt-ligjin për mediat.

Besimi u bëri thirrje gazetarëve që vërejtjet dhe komentet me të cilat mund të përmirësohet projekti t’i dorëzojnë deri në fund të këtij muaji deri kur Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës vazhdon afatin për debat për ligjin që përgatitet, por përfaqësuesit e SHGM-së dhe të SPGM-së dëshirojnë tërheqje të ligjit dhe kërkuan nga zëvendëskryeministri të dërgojë projekt të ligjit në Këshillin e Evropës, raporton korrespondeti i noa.al.

Vërejtja kryesore është se Qeveria sjell ligj për të cilët ata nuk pyeten dhe pse kanë vendosur vetëm ato dispozita nga ligjet evropiane që i përkasin kufizimit të lirisë së shprehjes.

Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, kërkoi që të veprohet sipas rekomandimeve të Komisionit Evropian, ndërsa zgjidhja më e mirë, tha ai, është që ligji të tërhiqet.

"Nëse Qeveria në mënyrë serioze nuk i shqyrton zgjidhjet në ligj, në vitin e ardhshëm Maqedonia në organizatat relevante ndërkombëtare joqeveritare do të radhitet në grupin e vendeve pas liri të shprehjes. Qeveria duhet të tregojë vullnet të qartë se dëshiron ta mbrojë dhe ta garantojë lirinë e shprehjes, e jo ta kufizojë. Zgjidhja më e mirë do të ishte të tërhiqet dhe të fillojmë nga fillimi se cilat janë arsyet pse duhet të sillet një ligj i tillë.

Këto përgjigje janë në raportet e Komisionit Evropian i cili vëren se mediat punojnë nën presion të fuqishëm politik dhe ekonomik ", theksoi Selmani. Zëvendëskryeministri Besimi tha se, “për projektin janë konsultuar ekspertë nga Komisioni Evropian dhe bëri thirrje në dialog dhe besim midis të dyja palëve.”

"Ligji është në fazë të debatit publik dhe duhet të shfrytëzohet mundësia për të gjitha komentet që mund të kontribuojnë për përmirësimin e tij të jepen në MSHIA. Projekti i përhershëm është i gatshëm me përfshirje të ekspertëve nga Komisioni Evropian, ndërsa edhe komentet dhe projekti i ardhshëm do të jenë në konsultim me ekspertë nga BE- ja, me qëllim të jemi më të sigurt që ajo që po bëhet në ligj të jetë në pajtueshmëri me standardet dhe direktivat evropiane. Për të marrë besim në këtë proces, duhet vazhdimisht të bisedojmë ", theksoi zëvendëskryeministri Besimi.

Ndërkohë, një pjesë e mediave dhe portaleve elektronike sot kanë shfaqur ekranet e zeza në shenjë proteste kundër censurës dhe shkeljes së fjalës së lirë nga pushteti aktual në Maqedoni. /n.p/o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit