Transmetuar më 03-05-2013, 15:37

Projekti Wi-Fi synon të zgjerohet në çdo zonë të vendit

English version

Gjiganti i telekomunikacionit në Shqipëri, ALBtelecom tashmë ka nisur të ofrojë shërbimin e internetit (me valë) Wi-Fi në hapësirat publike në Tiranë dhe po vazhdon me fazën e testimeve në vende të ndryshme të vendit. Çdo abonent që ka një laptop, tablet, apo një celular të zgjuar tashmë mund të lidhet në internet falas në parqe, rrugë, ambiente publike, praktikisht kudo ku shkon në kryeqytet.

Ky shërbim është promovuar gjatë një ceremonie në Qytetin Studenti, ku kanë qenë të pranishëm kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom Erkan Tabak.

Gjatë këtij aktiviteti, Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom dhe Eagle Mobile Erkan Tabak, duke falënderuar Bashkinë e Tiranës për mundësinë dhe lejen që i dha ALBtelecom-it për vendosjen e shpërndarësve të shërbimit Wi-Fi, tha se ky projekt kombëtar i nisur në Tiranë po vazhdon në çdo qytet të Shqipërisë.

“Sot në kryeqytet ne kemi shërbim aktiv Wi-Fi në shumicën e vendeve publike dhe mjediseve universitare. Ne shpresojmë që deri në fund të Majit të kemi shërbim në të gjithë Tiranën. Dhënia falas e këtij shërbimi për dy orë në ditë është një ndihmë për të rinjtë që nuk kanë mundësi blerjeje të shërbimit dhe kjo është një pjesë e Përgjegjësisë sonë Sociale. Ne e kemi deklaruar 2013-n ‘Viti i Internetit të sigurt’ dhe duam të ofrojmë internet të sigurt për familjet shqiptare dhe të rinjtë”, tha Tabak në fjalën e tij gjatë konferencës për shtyp.

 Ky projekt është një shembull mjaft i mirë i bashkëpunimit modern multifunksional dhe i kombinimit të shërbimeve që ofron infrastruktura e ALBtelecom dhe ajo e Eagle Mobile. Në infrastrukturën e internetit wireless janë përdorur pajisjet më cilësore të industrisë moderne. Ky projekt i ALBtelecom që kërkon një angazhim kompleks, është bërë i mundur në sajë të një stafi të kualifikuar dhe të trajnuar dhe një bashkëpunimi të ndërthurur ekipesh. Synimi i tij është që ta bëjë internetin të prekshëm për çdo qytetar, në çdo qytet të Shqipërisë.

Të gjithë përdoruesit Eagle mund ta përfitojnë falas këtë shërbim në vendet publike më të populluara. Shpejtësia e internetit është e lartë dhe ka kapacitete mjaft të mira për ta përballuar pikun me lehtësi. ALBtelecom Wi-Fi mund të përdoret në çdo pajisje që mbështet këtë teknologji, laptop, tablet dhe telefon smart. Atë mund ta përfitojë çdo përdorues Eagle, duke dërguar një mesazh në 55544 me tekst WIFI, dhe duke marrë kodin PIN me 8 shifra për përdorim Wi-Fi. Kodi mund të përdoret njëkohësisht deri në tre aparatura me mundësi lidhje Wi-Fi dhe nuk është i limituar vetëm me një aparaturë apo një kartë SIM. Për përdoruesit kjo teknologji ofron gjithashtu edhe avantazhin e kursimit të baterisë.  Me kombinimin e infrastrukturës së ALBtelecom dhe teknologjisë së fuqishme 3G, ALBtelecom Wi-Fi është rrjeti më i gjerë Wi-Fi në Shqipëri. Testimet në qytete të ndryshme janë drejt përfundimit.a.y/noa.al

English version

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit