



Tiranë, 3 maj 2013, NOA.al- Votimi i bërë nga këshilltarët e majtë të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në ambientet e Bashkisë së Tiranës, ka sjellë reagimin e kësaj të fundit.
Bashkia Tiranë bën të ditur se sot nuk është zhvilluar asnjë mbledhje zyrtare e Këshillit Bashkiak, ndërsa shton se u njoftua që dje opinioni publik se nuk ka asnjë njoftim zyrtar dhe të ligjshëm mbi thirrjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak për ditën e sotme.
“Bashkia Tiranë dënon dhunën e përdorur sot nga disa këshilltarë, ndaj institucionit të Bashkisë dhe bën të ditur se do të bëjë kallëzim penal ndaj personave përgjegjës. Të gjithë veprimet dhe deklaratat e sotme të disa anëtarëve të Këshillit Bashkiak janë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe janë të motivuara nga fryma e konfliktit politik. Bashkia Tiranë i bën thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës të distancohen nga veprime të paligjshme dhe të dhunshme ndaj institucionit të Bashkisë dhe siguron Këshillin Bashkiak dhe qytetarët e Tiranës se përgjegjësit e veprimeve të sotme antiligjore dhe të dhunshme do të përballen me pasojat ligjore”, thuhet në qëndrimin e bashkisë së drejtuar nga Lulzim Basha.
Siç raporton noa.al më herët këshilltarët e PS-LSI votuan shkarkimin e Njazi Kosovrastit si kryetar këshilli dhe votuan socialistin Aldrin Dalipi si kryetarin e ri, nga ambientet e paradhomës së Këshillit Bashkiak.a.y/noa.al
PS-LSI shkarkojnë kryetarin e Këshillit Bashkiak, votojnë Dalipin si kryetar
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





