




Tiranë, 3 maj 2013, NOA.al- Me rastin e ditës së lirisë së medias, Kryeministri Sali Berisha ka lëshuar një mesazh urimi për gazetarë, analistë dhe botues të ndryshëm.
Në një postim në profilin e tij në rrjetin social Facebook Berisha shkruan, “Gazetarë, analistë, botues, pronarë dhe punonjës të mediave, Gëzuar ditën e lirisë tuaj! Të dashur miq, sot njerëzit e lirë në mbarë botën nderojnë me vlerësimin më të madh mediat, punonjësit e tyre, rolin e tyre si pushtet i katërt, pa të cilin nuk ka demokraci. Duke bashkuar zërin tim me protestën dhe kërkesat e drejta të mediave shqiptare këtë ditë, unë dua t’i garantoj ato se mbetem një mik i vërtetë i tyre që çmoj dhe admiroj rolin e tyre të pazëvendësueshëm dhe thelbësor në një shoqëri të lirë dhe se do bëj gjithçka që liria e tyre të bëhet çështje e lirisë së çdo shqiptari”.
Ndër të tjera kreu i qeverisë shton se përulet me nderim të madh para atyre gazetarëve, kameramanëve, kronistëve që u martirizuan këtë vit në zona të nxehta të planetit për të informuar botën mbi zhvillimet e ethshme.
Kryeministri e mbyll fjalën e tij duke uruar edhe njëherë atë që e quan, ditën e fjalës së lirë.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





