

Tiranë, 2 maj 2013, NOA.al- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në vijim të takimeve me mbështetës të forcës politike që ai drejton u ndal në njësinë bashkiake nr.5 në kryeqytet.
Gjatë fjalës së tij shefi i opozitës tha se projekti i rilindjes është për të marrë hak për 8 vitet që i katandisën 57% të 15 vjeçarëve shqiptarë analfabetë funksionalë, si dhe për të fituar betejën me papunësinë.
Ai tha se do të hiqen taksat për biznesin e vogël, ndërsa u zotua për taksim të ndershëm.
Lidhur me banorët e përfshirë prej disa ditësh në grevë në rrugën “Margarita Tutulani”, të cilët u nxorën nga banesat prej përmbarimit, ai tha se problemi ka dy anë.
Sipas tij është e drejta e ish-pronarëve për të rimarrë pronën e tyre dhe e drejta e familjarëve që nuk kanë vend ku të strehohen, ku shtoi se nuk mund të vendoset një e drejtë duke bërë një padrejtësi tjetër.
Sakaq ai u tha banorëve që të ndërpresin grevën, duke ofruar strehimin e tyre deri më 23 qershor, kur siç tha ai Partia Socialiste të vijë në pushtet.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





