

Tiranë, 2 maj 2013, NOA.al/Arjola Ymeraj- Kryeministri Sali Berisha nga ambientet e Kryeministrisë në një konferencë me gazetarët deklaroi se gjatë takimeve me qytetarët ka realizuar dialogun më të gjerë në të gjithë karrierën e tij.
Lidhur me situatën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ai tha se Edi Rama u imponoi dorëheqjen anëtarëve të tij në KQZ, por tha se kryesocialisti e përdori problemin e komisionerëve për pazar dhe pazari më i shëmtuar ishte ai që e quajti “i gjori” Jani Jani, për të cilin tha se u ngri, për tu dorëhequr më tej.
Sipas tij dorëheqja e anëtarit të KQZ Jani Jani, u bë për të hapur një vend në listë për kryetarin e PBDNJ, Vangjel Dule.
Kryeministri tha se Ramës i është kërkuar të propozojë anëtarët dhe ti rikthehen detyrës, ndërsa shtoi se tërheqja e komisionerëve u bë si një mjet për të justifikuar humbjen e zgjedhjeve para mbështetësve dhe mosnjohjen e zgjedhjeve.
“Edi Rama ka qartësuar të gjithë raportet e tij me qëndrimin ndaj KQZ. Këtë situatë e krijoi vetëm për ta përdorur si pretekst për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve, siç u deklaroi vetë ai një grupi të huajsh në zyrën e tij. Hallin nuk e ka as te Jani as te Muho por te rezultati. Ai po përpiqet po bën çmos të demonizojë një proces të cilin askush nuk mund ta demonizojë”, deklaroi Berisha citon noa.al.
Ai u zotua se këto do jenë zgjedhjet e standardeve më të mira që janë mbajtur ndonjëherë me një infrastrukturë të shkëlqyer dhe me një ligj i cili i jep garanci të plotë opozitës.
Kreu i qeverisë tha se nuk do të ndodhë kurrë që ti japë komisionerë Edi Ramës, ndërsa tha se ai jeton në shtëpinë e dobive dhe ka frikë në komisionerët e vetë.
Sa i takon hartimit të listave të kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike, ai tha se po hartohen dhe në momentin e parë që do jenë gati do bëhen të ditura për të gjithë, por bëri me dije se nuk ka ndodhur asnjëherë që listat të jenë të njëjtat me ato të shkuarat, por se do pësojnë ndryshime.
Kryeminsitri bëri me dije se ka një marrëveshje me tre deputetët e Partisë Socialiste referuar Kastriot Islamit, Asllan Dogjanit dhe Gjovalin Kadelit, duke thënë se vota e tyre ishte vendimtare që Rama të mos bëhej Kryeministër, duke votuar në mbështetje të mazhorancës në Parlament.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





