Transmetuar më 02-05-2013, 15:58

Prej ditësh është publikuar spoti që lajmëron ardhjen e kreut socialist Edi Rama në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Kjo është dalja e tretë e Ramës në emisionin që bojkotoi për disa vite rresht, kurse kryeministri Berisha gjatë kësaj periudhe nuk ka shkuar asnjëherë në emisionin ku tradicionalisht ishte të paktën 3-4 herë në vit i pranishëm, përballë gazetarit Blendi Fevziu ose me panel të gjerë gazetarësh.

Dhe pikërisht ndërsa për sonte në orën 21.00 është lajmëruar intervista e drejtpërdrejtë e kryetarit socialist Rama në “Opinion”, kryeministri përpiqet mesa duket ta “shfryjë” daljen e bujshme të z.Rama në Tv Klan, duke thirrur një konferencë për shtyp.

Sonte në orën 18.00, Berisha ka ftuar gazetarët që të realizojnë së bashku një konferencë për shtyp, pa publikuar ose përcaktuar asnjë tematikë konkrete për këtë dialog me mediat.

Pak javë më parë, i pyetur pse ka “bojkotuar” emisionin “Opinion” ku tradicionalisht Berisha ka qenë i pranishëm, ai pranoi se nuk kishte shkuar dhe madje nuk kishte ndërmend të shkonte si më parë, duke lënë të hapur ndoshta ndonjë dalje të rrallë të atillë.

Z.Berisha duke folur mbi këtë argument kishte pohuar se ka ndryshuar strategji dhe daljet e tij mediatike përmes intervistave apo debateve televizive ishin zëvendësuar me takime direkte me qytetarët.

Nga ana tjetër, kreu socialist duket se po e shfrytëzon këtë situatë sepse ai, krahas takimeve paralele me qytetarë, po del gjithnjë e më shumë në TV, duke dominuar kështu pushtetin e katërt, ashtu si vitet e kaluara dominonte z.Berisha. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit