

Tiranë, 2 maj 2013, NOA.al- Disa projektligje si ai për “Kodin Penal”, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, “Projektligji për legalizimin e ndërtimeve informale të pas vitit 2006” dhe disa të tjerë u miratuan në seancën e sotme të Kuvendit.
Lidhur me projektligjin për legalizimet, pritet të legalizohen më shumë se 80 mijë ndërtime pa leje, duke përfshirë këtë herë edhe atë kategori ndërtimesh që janë në distancë të afërt me akset rrugore kombëtare.
Disa prej projektligjeve morën edhe votën e opozitës, e cila u largua pak më herët për shkak të një mbledhje në Partinë Socialiste.
Edhe në këtë seancë kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ftoi sërish ligjvënësit socialistë që të votojnë tre ligjet që kushtëzojnë integrimin, por u përball sërish me mohimin e tyre.
Gjithsesi kur më pak se dy muaj ndajnë nga data e zgjedhjeve, java e fundit e majit mendohet se do të shënojë edhe seancën e fundit të Parlamentit, para se ai të shpërndahet për të nisur betejën elektorale.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





