

Korçë, 1 maj 2013, NOA.al- Kryeministri Sali Berisha u ndal në qytetin e Korçës në një bashkëbisedim me gratë dhe vajzat e këtij qyteti.
Ai tha se duhet kapërcyer hendeku gjinor, pasi vijon të mbetet problem, ndërsa nënvizoi se femrat kanë bërë progres të madh në karrierë ndërsa janë një shumicë cilësore në universitete.
Kryeministri garantoi se qeveria u ka dhënë përparësi grave në institucionet e vendit, duke theksuar se do vijohet më tej në këtë drejtim, ndërsa kujtoi se është ngushtuar ndjeshëm diferenca e rrogave mes burrave dhe grave.
“Objektiv kryesor është rritja e pagave në sektorët e dominuar nga vajzat, ndërsa kemi pasur prioritet mbështetjen e tyre nëpërmjet mikro-kredive. Nuk janë në postet kryesore politike, por vendi i dytë më i lartë i vendit i është besuar një zonje. Gratë janë të afta të bëjnë çdo detyrë nga Kryeministri deri te Presidenti ndaj duhet vazhduar me betejën në mbështetje të tyre”, u shpreh Berisha citon noa.al.
Ai tha se mandatin e ri nuk e kërkon për ato që janë bërë, por për Shqipërinë vend i zhvilluar, si një vend i cili shkon i sigurtë drejt integrimit në Europë.
Kreu i qeverisë kujtoi edhe bllokimin e statusit të vendit kandidat nëpërmjet mos votimit të tre ligjeve, ku referuar kreut të opozitës Edi Rama tha se zgjidhja është demokratike, është vota e qytetarëve.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





