

Tiranë, 1 maj 2013, NOA.al- Kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha u ndal sot në lançimin e portalit të punësimit, ku bëri me dije se nëpërmjet tij ofrohen 805 vende pune në profesione të ndryshme.
Ky portal është hapur nga Bashkia e Tiranës në web-in e saj zyrtar tirana.gov.al, me synim zhvillimin ekonomik dhe punësimin, i cili do të jetë urë lidhëse mes punëdhënësve dhe punëmarrësve në kuadër të projektit të Bashksië së Tiranës.
“Sot, në ditën që ne inaugurojmë këtë faqe, 15 profesione kërkohen anembanë qytetit, dizenjues, dizenjues grafikë, drejtues, menaxherë, ekonomistë, elektriçistë, fotografë, specialistë të IT, kuzhinierë, marketing, marrëdhënie me publikun, përkthyes, rrobaqepës, sekretar-recepsionist, shoferë dhe operatorë telefonikë. Kjo ofertë fillestare që hidhet sot në dispozicion të qytetarëve që kërkojnë punë në qytetin e Tiranës vjen nga afro 9 kompani të cilat kanë mundësuar që kërkesën që ata kanë për të punësuar, ta reklamojnë përmes këtij portali, falas dhe të hapur për këdo që dëshiron ta eksplorojë. Edhe 6 kompani të tjera presim që të hedhin të dhënat e tyre në ditët në vijim, duke e çuar në 15 numrin total të kompanive që aktualisht nëpërmjet këtij portali reklamojnë 805 vende pune, 805 mundësi për t’u punësuar për qytetarët e Tiranës, në veçanti për qytetarët e rinj të Tiranës”, deklaroi Basha, raporton noa.al.
Ai bëri të ditur se brenda javës së ardhshme do të përzgjidhet edhe banka e nivelit të dytë, e cila do të kreditojë idetë e biznesit të të rinjve nën 35 vjeç, me garancinë 1 milion euro, të vënë në dispozicion nga Bashkia e Tiranës.
Ndër të tjera kryebashkiaku shtoi se, “Qytetarët e mbajnë mirë mend se kush bën kopjacin në fushatë elektorale. Me kopjen e 2011-ës zoti Rama është futur në fushatën e 2013-ës por problemi më i madh i tij mbetet marrëdhënia me njerëzit. Unë i them sot të mësojë nga realizimi i këtij premtimi tjetër, në raport me objektivat tona për punësimin dhe duke mësuar shpresoj të vetëkorrigjohet”.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





