

Prishtinë, 30 prill 2013, NOA.al- Seanca gjyqësore kundër Fatmir Limajt në rastin “Kleçka” po vazhdon intensivisht. Trupi gjykues u mblodh sot për të vazhduar seancën e radhës ku ka dhënë dëshminë e tij, dëshmitari i mbrojtur i prokurorisë, i kodifikuar si “C”. Dëshmia e tij është dhënë me videolink. Ai ka pranuar se ka qenë në Kleçkë, por jo i burgosur.
“Nuk kam qenë në burg more, veç kemi luajtur me top”, ka thënë dëshmitari “C”. Ndërkaq, prokurori ka thënë se “C” në fazën e hetimeve ka deklaruar se ka qëndruar në një qeli me 4 persona të tjerë. Por këtë e ka mohuar dëshmitari: “Nuk ka pasur qeli. Ku kemi pas kohë për të ndërtuar qeli atëherë. Mos flisni pallavra”, është përgjigjur “C”.
Prokurori siç raporton korrespondentja e noa.al në Prishtinë i ka rikujtuar se gjatë fazës së hetimeve ai kishte thënë se ka qenë pjesëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës por dëshmitari ka thënë se kjo s’është e rëndësishme. Prej dëshmisë së tij, është mësuar se ai është nga Drenica.
Avokati i Limajt, Tomë Gashi, ka thënë se pala mbrojtëse nuk ka kurrfarë problemi të ballafaqohet me cilindo dëshmitar të prokurorisë.
Gashi ka deklaruar se Limaj ka vendosur të mbrohet me të vërtetën deri në fund të këtij procesi gjyqësor.
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër Limajt dhe nëntë ish-bashkëluftëtarëve të tij, për vepra të cilat supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999, kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, si dhe kundër pjesëtarëve të burgosur të ushtrisë serbe dhe policëve serbë të mbajtur në një qendër të improvizuar paraburgimi nga UÇK-ja, e cila ndodhej në fshatin Kleçkë.t.k/a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





