

Tiranë, NOA.al- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në nisje të mbledhjes së sotme për marrjen e disa vendimeve, rikujtoi për partitë dhe risaktësoi për media datën 6 maj, si limit të fundit për listën shumemërore të kandidatëve.
Kryetarja Lefteri Lleshi tha se, “ligjërisht afati është 4 maj, por i bie ditë e shtunë, me pas vjen e diela kështu që afati i fundit mbetet 6 maji, ora 12.00 e natës”
Në mbledhjen e sotme pritet të miratojë projekt-vendimin për ngritjen e disa qendrave të votimit në ambientet private.
KQZ ka nisur prej disa ditësh procesin e miratimit të ngritjes së qendrave të votimit në ndërtesa private në tre qarqe: Fier, Gjirokastër dhe Vlorë. Akti i propozuar nga administrata zgjedhore parashikon që në total në këto tre qarqe të ngrihen 104 QV në ndërtesa private, 73 prej të cilave kanë qenë në të njëjtat objekte private; 9 QV kanë qenë në objekte private, por për këto zgjedhje është propozuar të vendosen në objekte të tjera private; ndërsa 22 qendrat e tjera propozohen të vendosen në ndërtesa private për herë të parë.
Në rendin e ditës së sotme, është përfshirë edhe shqyrtimi i projekt-vendimit për miratimin e Vëzhguesve të Qendrës “Polit On”, për vëzhgimin e zgjedhjeve për Kuvend të datës 23 Qershor 2013.” o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





