
Tiranë, NOA.al – Një grua është përplasur në trotuar nga një endacak pasi nuk pranoi t’i falte atij lëmoshë. Incidenti ndodhi sot në stacionin e fundit i Kombinatit, në Tiranë kur Shpëtim Guro, 47 vjeç dyshohet se i ka kërkuar lëmoshë një 54-vjeçareje e cila po qëndronte në stacion për të pritur autobusin.
Gruaja nga Elbasani, me iniciale I.B, e cila prej vitesh jeton në Tiranë, i ka thënë atij të largohej pasi nuk kishte para me vete, por ai e ka shtyrë duke e përplasur në trotuar.
Policia tha se 54 vjeçarja u transportua menjëherë në Spitalin Ushtarak nga ku u mësua se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Forcat e policisë mbërritën në vendngjarjen dhe kryen shoqërimin e endacakut i cili pasi qëndroi për disa orë në qeli dhe më pas u la i lirë. Ndaj tij ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





