

Tetovë, 29 prill 2013, NOA.al- Ambasadori i Kosovës në Shkup, Ylber Hysa vizitoi sot komunën e Tetovës, ku zhvilloi një takim me kryetaren e re të kësaj komune, Teuta Arifi.
Bashkëpunimi ndërmjet komunave të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë si dhe prioritetet për bashkëpunim në disa fusha të rëndësishme për të dyja vendet, kanë qenë çështjet e diskutuara midis Teuta Arifit dhe ambasadorit Hysa.
Ambasadori kosovar gjithashtu theksoi se në këtë takim ka pasur rastin të përcjellë edhe mesazhin e urimit nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga për zgjedhjen e Teuta Arifit në krye të komunës më të madhe të shqiptarëve në Maqedoni.
Ai theksoi se ky përgëzim bëhet në emër të solidaritetit midis grave si dhe në shenjë respekti për rolin e gruas në të gjitha fushat themelore të shoqërisë.
Kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi theksoi se bashkëpunimi ndërmjet komunave, sidomos me ato të Kosovës do të jetë prioritet gjatë mandatit të saj katërvjeçar.
“Bashkëpunimi ndërmjet komunave të të dyja vendeve, sidomos ato kufitar do të jetë prioritet, duke shfrytëzuar programet e ndryshme edhe nga Bashkimi Evropian, sidomos fondet nga komponenta IPA. Dëshirojmë dhe synojmë që qytetarët të jenë më afër dhe të kontribuojnë për bashkëpunim më të mirë në të gjitha fushat”, theksoi Teuta Arifi.
Kryetarja e re e Tetovës deri tani ka zhvilluar takime me ambasadorët e SHBA-ve, Gjermanisë, Kroacisë dhe Francës.n.p/a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





