

Prishtinë, 29 prill 2013, NOA.al- Një grabitje me armë në filialin e një banke në rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë, ka bërë që policia të vihet në lëvizje.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni specialistë për hetimin e krimit të grabitjes të mbështetur edhe nga njësi të tjera të specializuara kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe me një intensitet të shtuar kanë filluar të zbardhin rrethanat e grabitjes.
Sipas informatave të para dyshohet se katër persona të dyshuar, të maskuar dhe të armatosur nën kërcënimin e armës kanë grabitur një shumë të konsiderueshme parash, dhe me shpejtësi me një veturë janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Sapo mbërriti në vendin e ngjarjes policia identifikoi drejtimin e largimit të mjetit, ku autorët e grabitjes me mjetin tip Golf-III në ikje e sipër kanë humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe janë përplasur në murin e një shtëpie, në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë.
Më pas ata kanë lënë veturën e tyre të dëmtuar dhe kanë vazhduar ikjen e tyre me këmbë.
Siç raporton noa.al gjatë kontrollit të bërë në mjet janë gjetur dy kasaforta, njëra prej tyre me para, një çantë me para, një pistoletë si dhe një karikator.
Sakaq gjatë kontrollit të mëtejshëm në drejtimin e largimit të autorëve janë gjetur një një armë automatike AK-47, dy karikatorë si dhe dy maska, të cilat janë hedhur nga të dyshuarit gjatë ikjes.
Nga ana e policisë janë shoqëruar disa persona, ndërsa nuk është konfirmuar ende se kush janë autorit e grabitjes.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





