

Bulqizë, 29 prill 2013, NOA.al/ Update- Një punonjës miniere ka marrë ndihmë shëndetësore pasi në një luhatje tensioni ka humbur ekuilibrin duke u rrëzuar. Informacionet paraprake që erdhën nga miniera e Bulqizës, hodhën dyshime për shembje të ndonjë pjese të galerive, por më tej u zbardh se nuk kishte asnjë incident të tillë.
Nga të dhënat paraprake siç raportoi noa.al i dëmtuar kishte mbetur 50 vjeçari Destan Koxha, i cili ndodhej brenda galerisë së minierës në kohën e ngjarjes.
Kanë qenë shokët e tij ata që i kanë ardhur në ndihmë duke e nxjerrë prej atje, për t’u dërguar në drejtim të spitalit.
Drejtoria e Minierës së Bulqizë në zotërim të AlbChrome, duke folur lidhur me këtë incident, tha se miniera ka funksionuar normalisht edhe të hënën dhe nuk ka pasur asnjë incident me pasoja dëmtimi të minatorëve apo personelit mbështetës.
"Nuk ka pasur shembje të minierës, përkundrazi puna ka vazhduar si çdo ditë tjetër për nxjerrjen e mineralit të kromit, sigurimin e galerisë dhe thellimin e saj. Ajo që është transmetuar nga disa media si shembje e minierës dhe dëmtim i minatorëve është krejtësisht e pavërtetë, siguroi kompania.
Kurse sqaroi se punonjësi i kompanisë AlbChrome, Destan Koxha, pas mbylljes së turnit, duke dalë nga ambienti i punës, nuk është ndjerë mirë dhe ka humbur ndjenjat dhe gjatë rrëzimit është dëmtuar në vetull por shumë shpejt është përmendur.
Pasi i janë bërë kontrollet e emergjencës në ambientet e kompanisë dhe është vënë re se ka qenë me tension të lartë, është shoqëruar nga ana e drejtorisë së minierës dhe kolegët drejt spitalit të qytetit.
Mjekët kanë konstatuar që nuk ka dëmtime të tjera përveçse gërvishtjes në vetull. Ai i ka treguar vetë gjithë ngjarjen organeve të rendit dhe kolegëve të tij të interesuar se si kishte ndodhur.
Mjekët e spitalit janë shprehur se do të kontrollojnë situatën me tensionin sistolik të gjakut për t’i dhënë kurën e nevojshme dhe për ta shoqëruar në shtëpi.
Destan Koxha është ndër minatorët më të vjetër në minierën e kompanisë AlbChrome dhe gëzon respektin e drejtorisë së minierës dhe kolegëve të tij.
Nisur nga mosha e tij drejtoria e minierës i ka ngarkuar gjithnjë detyra me angazhim të pakët fizik duke mos e munduar.
Gjatë gjithë kohës së nevojshme për stabilizimin e situatës së tij shëndetësore me tensionin e gjakut, kompania tha se do t’i ofrojë mbështetjen maksimale.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





