Transmetuar më 28-04-2013, 17:43

Shkodër, NOA.al – Rreth 200 qytetarë të Shkodrës të njohur si ish-themelues, drejtues dhe mbështetës të Partisë Demokratike në këtë qark si dhe përfaqësues të shtresës së të përndjekurve politikë gjatë regjimit komunist i janë bashkangjitur sot Partisë Socialiste.

Në një takim me kryetarin e opozitës, Edi Rama ata u shprehën se, “nuk janë ata që po e tradhtojnë PD-në, por është kjo e fundit dhe qeverisja e saj që ka lënë në mëshirë të fatit të djathtën dhe gjithë Shqipërinë.”

Për Ramën hedhja e një hapi për të kapërcyer kufirin mes të djathtës dhe të majtës është emancipim shoqëror. “Është kalimi nga një fazë historike kur marrëdhëniet e individit me partinë kanë qenë marrëdhënie të verbra, marrëdhënie tifozllëku, marrëdhënie të pakushtëzuara në një fazë historike kur marrëdhëniet e individit me partinë janë marrëdhëniet e një qytetari me një forcë politike që ka për detyrë t’i shërbej qytetarit dhe t’i përmbajë angazhimet e veta”, tha Rama.

Sipas tij, sot Partia Demokratike është përgjegjëse “për transformimin e pushtetit të popullit sovran në pushtetin e një oborri familjarësh dhe klientësh në biznes të kryeministrit.”

“Në 23 qershor të djathtët nuk do të bëhen socialistë, por do të votojnë Partinë Socialiste në mënyrë që t’i japin mundësi edhe PD-së që të rilindë, duke dalë në opozitë, duke u çliruar nga ky matuf komunist që e ka marrë peng, që i tregon çdo ditë Shqipërisë përralla nga ato që do të bënte botën të qeshte”, vijoi fjalën e tij në kryeqendrën e veriut kryetari Edi Rama.o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit