

Durrës, 28 prill 2013, NOA- Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot, se pas vitit 2005, qeveria ka arritur të ngushtojë diferencën në pagesën mes burrave dhe grave. Në një bashkëbisedim me gratë menaxhere dhe punonjëse, kryeministri u shpreh se Shqipëria ka lënë pas 11 vende të BE-së në lidhje me barazinë e pagës mes dy gjinive.
“Sot kjo diferencë e pagave ka zbritur në 17.6 për qind. Pra ne jemi përafërsisht në mesataren e Bashkimit Europian, lamë mbara 11 vende, por jemi të pakënaqur, duhet të ecim më tej, drejt ngushtimit maksimal”, tha Berisha.
Ai u shpreh se tetë vite më parë diferenca mes pagave ka qenë 36 për qind. “Në vitin 2005 për shkak të këtij muri, diferenca në paga mes grave dhe burrave në Shqipëri ishte jo më pak se 36 për qind. Po të merrej paga mesatare e grave dhe burrave kjo ishte jashtëzakonisht e madhe, tejkalonte një të tretën. Diferenca në pagë, është një diferencë në shumë aspekte të tjerë. Në përcaktuam drejtimin e rritjes së rrogave, në administratën që dominohet nga gratë dhe vajzat, si arsimi dhe shëndetësia”, tha Berisha.
Kryeministri u shpreh se qeveria duhet të bëjë me shumë për të shmangur mentalitetin që diskriminon gratë. “Në duhet të rrëzojmë murin e pabarazisë. E vërteta e rrëzimit të këtij muri qëndron të liria dhe e drejta e saj, te përpjekjet e grave për të ecur drejt një barazie gjinore, drejt barazisë së djalit me vajzën, burrit me gruan, motrës me vëllanë. Në përpjekjet tona këto vite ky ka qenë një qëllim kryesor. Këto përpjekje sot kanë dhënë rezultate të prekshme”, tha kryeministri Sali Berisha.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





