Transmetuar më 27-04-2013, 11:50

Vlorë, 27 prill 2013, NOA – Partia Socialiste ka prezantuar sot programin për zgjedhjet e 23 qershorit në qytetin e Vlorës. Deputetja e PS-së, Mimi Kodheli tha në fjalën e saj se ekonomia është në momentet më të këqija. Ajo u shpreh se janë 1 miliard euro kredi të këqija dhe 1 milion njerëz të papunë.

“Niveli i kredive të këqija ka arritur në 1 miliard euro. Borxhet e listave kanë arritur nivele alarmante. Janë borxhe që shqiptarët nuk mund ti shlyejnë përderisa janë rreth 1 milion të papunë. Kjo qeveri nuk ka arritur të hap asnjë vend pune. PS ka vlerësuar si parësor krijimin e 300 mijë vendeve të reja të punës dhe ky është objekti madhor i PS”, tha Kodheli.

Duke prezantuar projektin për punësimin, Kodheli u shpreh se pjesa më e madhe e punësimit do të vij nga investimet në bujqësi. “Më shumë se gjysma do të vij nga bujqësia, blegtoria dhe aktivitete të tjera. Ne do të mundësojmë punësim të drejtpërdrejtë për rreth 40 mijë vende pune”, tha Kodheli.

Deputetja e PS-së shtoi se me vendosjen e taksës progresive do të bëhet e mundur që të përfitojnë rreth 95 për qind e qytetarëve. “Ne do të bëjmë të mundur që nga ekonomia më e varfër të jemi ekonomi e zhvilluar. Këtë do ta bëjë PS pas 23 qershorit me Edi Ramën kryeministër”, tha deputetja Mimi Kodheli.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit