



Prishtinë 26 Prill 2013 NOA.al/ – Delegacioni i Kosovës që kishte shkuar në Bruksel për të hartuar planin për zbatim të marrëveshjes, është kthyer pa arritur një marrëveshje për këtë punë.
“Takimi dyditësh i ekipit të Kosovës dhe të Serbisë ka përfunduar sot pa marrëveshje për zbatimin Marrëveshjes”, ka njoftuar shefi i ekipit të Prishtinës, Hajredin Kuçi.
Sipas tij, gjatë këtyre dy ditëve është arritur përparim por jo shumë i madh. "Kam ndjenjën se Beogradit i duhet edhe ca kohë për ta kuptuar marrëveshjen”, ka thënë Kuçi.
Që prej nënshkrimit fillestar të Marrëveshjes, ishte kërkuar që më 26 prill të hartohet plani përfundimtar i zbatimit të kësaj marrëveshjeje të arritur mes dy kryeministrave të vendeve.
“Drafti i përgjithshëm ofruar për implementim nga ne është pranuar, por pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për të debatuar planin. Ne presim që takimi tjetër që do të mbahet për implementim të marrëveshjes, duhet të mbahet takimi në mes të dy kryeministrave dhe zonjës Ashton, ku edhe duhet të përafrohet plani implementues”, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi.
Megjithëse delegacionet nuk po udhëhiqen prej kryeministrave, është bërë e ditur se vetëm kryeminsitrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç mund ta nënshkruajnë dokumentin e planit të zbatimit./t.k/a.h/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





