

Tiranë, 26 prill 2013, NOA.al- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në vijim të prezantimit të programit për një “Rilindje shqiptare”, u ndal në pjesën e për rendin dhe kriminalitetin.
Në fjalën e tij kreu i socialistëve tha se brenda 300 ditëve të para të qeverisjes socialiste do të bëhet një luftë e ashpër me krimin.
Në këtë kuadër ai tha se një fokus të rëndësishëm në këtë proces do të ketë depolitizimi i policisë, ku policët të mos u shërbejnë interesave klienteliste të partive por të jenë në funksion të rendit dhe qytetarëve dhe të lejohet që të ndalohet edhe eskorta e Kryeminsitrit.
"Ne kemi marrë një angazhim brenda 300 ditëve të para të qeverisjes sonë do të zhvillojmë një luftë të paparë me krimin, do të kthejmë Policinë e Shtetit në krye të detyrës. Do t’u japim shqiptarëve në shërbimin e tyre një Polici të Shtetit si asnjëherë më serioze dhe më të gatshme për t’ju përgjigjur sfidave të kohës që jetojmë. Do të shënojmë një fitore të rëndësishme në betejën me krimin. Sigurisht, që ne nuk besojmë se lufta me krimin është një luftë që mund të zhvillohet dhe mund të përfundojë brenda 300 ditësh. Ne besojmë se brenda 300 ditësh mund ta zmbrapsim krimin, të rimarrim në dorë kontrollin mbi territorin dhe të vendosim një ekuilibër të ri në raportin e forcave në këtë fushë beteje ku krimi sot ka një epërsi të papërballueshme. Ne besojmë që sa ç’është e rëndësishme lufta frontale me krimin aq është e rëndësishme dhe beteja me shkaqet e krimit. Beteja me shkaqet e krimit është një betejë që zhvillohet çdo ditë dhe të cilën ne do ta zhvillojmë papushim në 4 vitet e mandatit tonë qeverisës", deklaroi Rama.
Në vijim siç raporton noa.al ai tha se do punësohet çdo grua e një polici të rënë në detyrë dhe do strehohen gjithë familjet e të rënëve në detyrë, ashtu sikundër do arsimohen fëmijët e tyre.
Ai tha se shkelësit e ligjit nuk janë të majtë e të djathtë, ata do trajtohen si shkelës ligji sepse të tillë janë.
Rama theksoi se për të pasur sukses në betejën ndaj krimit duhet bërë ndryshim në strukturën e qeverisjes dhe duhet të ndërrohet kah nga shembulli i forcës në forcën e shembullit.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





