Transmetuar më 26-04-2013, 17:47

Prishtinë, 26 prill 2013, NOA.al – Partia Socialiste e Kosovës iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje së bashku me anëtarësinë e saj dhe përfaqësuesit në pushtetin vendor. Këtë e kanë bërë publike me një konferencë të përbashkët në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje.

 “Jemi sot këtu për të njoftuar se Lëvizjes Vetëvendosje i bashkohet Partia Socialiste e Kosovës. Që nga sot anëtarësia, përfaqësuesit në asambletë komunale dhe strukturat e këtij subjekti bëhen pjesë e Lëvizjes sonë. Ne po i bashkojmë forcat për ta rritur angazhimin e përbashkët. Me anëtarët e PSK-së, edhe atëherë kur kanë qenë anëtarë të LPK-së, ne kemi pasur bashkëpunim në aktivitete të ndryshme me interes kombëtar e shoqëror”, ka thënë lideri i VV-së Albin Kurti

Ai ka theksuar se “Historia e organizatave ilegale e legale për republikë e çlirim, për bashkim kombëtar e drejtësi, për liri e barazi, në dekadat e fundit është e lidhur me këta njerëz, me këta veprimtarë të devotshëm të cilët edhe si të burgosur politikë dikur, edhe si pjesëtarë e luftëtarë të UÇK-së më pas, gjithmonë ishin në krye të detyrës, dhe nuk kursyen asgjë për kombin e vendin tonë”.

Kryetari i Partisë Socialiste ka thënë se kjo parti i është bashkuar VV-së me të gjitha strukturat dhe me fondin simbolik që ka pasur kjo parti.

“Është vullnet i anëtarësisë së Partisë Socialiste të Kosovës dhe i strukturave të saj që të jemi bashkë. Konsideroj se bashkë kemi  qenë në ndërtimin dhe luftën kundër pushtuesve. Tashmë kemi arsye edhe më tepër që të jemi bashkë në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe konsideroj se vendi ynë sot ka nevojë më tepër se kurrë që në shprehje të vijnë subjektet me programe të qarta politike e ekonomike në interes të qytetarëve të Kosovës, subjekte që nuk janë sprovuar më herët dhe subjekte që kanë për qëllim ruajtjen e vlerave të shoqërisë sonë, zhvillimin ekonomik, dhe shtyrjes përpara të procesit jetik që është bashkimi kombëtar”, ka thënë kryetari i Partisë Socialiste, Ilaz Kadolli.t.k/a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit