



Fotografi e publikuar nga Saimir Tahiri
Tiranë, 26 prill 2013, NOA.al- Ministria e Brendshme nëpërmjet zëdhënësit Leonard Olli, hodhi poshtë çdo akuzë të deputetit socialist Saimir Tahiri mbi ministrin Flamur Noka, duke e quajtur shpifës me pagesë.
Lidhur me fotografitë e publikuara në faqen personale në Facebook të Tahirit, ku thuhej se Ministri i Brendshëm ishte duke pirë kafe me shoferin e Arben Frrokut, autorit të dyshuar për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, Olli tha se nuk ka asnjë të vërtetë.
“Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, deklaron me përgjegjësi të plotë individuale dhe institucionale se në fotot e bëra publike, asnjë nga personat prezent në këtë takim, nuk kanë kurrfarë lidhjeje me individët e stisur nga shpifësi Tahiri, me të cilët kupola e krimit në Partinë Socialiste, ka pranuar publikisht se ka lidhje politike dhe biznesi. Ministri i Brendshëm i konsideron shpifje të tilla, si përpëlitje të pashpresa të njerëzve të botës së krimit, për të stisur tymnaja me qëllimin e vetëm, dëmtimin e hetimit dhe për të shpëtuar përballjen me drejtësinë, të ortakëve të tyre politikë dhe të biznesit. I bëjmë me dije opinionit publik se asnjë tymnajë kasnecësh dhe shpifësish nuk do të mund të pengojë zbardhjen e krimit makabër, ku humbi jetën kryekomisar Dritan Lamaj dhe çuarjen e autorëve para drejtësisë”, deklaroi Olli, citon noa.al.
Në vijim ai shtoi se Ministri i Brendshëm shpreh bindjen e plotë se strategjia e shpifjeve, përbaltjes dhe denigrimit publik, është rezultat i panikut të plotë që ka përfshirë Edi Ramëm dhe “Rilindasit” e tij, para humbjes së thellë që i pret më 23 qershor.
Olli lajmëroi se lidhur me çështjen e fotografive ministri Noka do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe do të paraqesë padinë e tij, në Gjykatën e Tiranës kundër Saimir Tahirit për shpifje.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





