

Shkup, NOA.al – Udhëheqësi i partisë më të madhe opozitare maqedonase LSDM është dorëhequr mbrëmë nga drejtimi i partisë së tij, pas humbjes në zgjedhjet lokale të 24 marsit.
Cërvenkovski ofroi dorëheqjen para Këshillit të Përgjithshëm të LSDM (Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë), duke konfirmuar vendimin se nuk do të kandidohet për këtë post në Kongresin partiak që është caktuar për në qershor, njofton korrespondenti i noa.al.
Cërvenkovski bëri të ditur gjithashtu se nga pozicioni i tij brenda partisë nuk do të lobojë për asnjë kandidaturë që pretendon lidershipin partiak.
Jozyrtarisht mësohet se kandidatë për drejtimin e socialdemokratëve maqedonas janë: Zoran Zaev – kryetari aktual i komunës së Strumicës, i cili gëzon mbështetjen e gjërë të anëtarësisë, Radmilla Sheqerinska,ish-zëvendëskryeministrja për eurointegrime gjatë qeverisjes socialdemokrate, që gëzon një mbështetje tek bashkësia ndërkombëtare si dhe emra të tjerë.
LSDM gjatë mbledhjes së zhvilluar mbrëmë vendosi që të nis përgatitjet për kongresin partiak të caktuar më 2 qershor të këtij viti. Kjo parti humbi zgjedhjet lokale duke fituar vetëm katër komuna në nivel të vendit, ndërsa lideri i saj i deritanishëm Branko Cërvenkovski kishte paralajmëruar zgjedhje të parakohshme parlamentare, në rast se opozita do të fitonte edhe një votë më shumë në këto zgjedhje. /n.p/o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





