Transmetuar më 25-04-2013, 18:41

Nuk mendoj se e keni vendin aty në këtë qeveri dhe njëkohësisht të thirreni në subjektin që quhet parti e Drejtësisë. Kjo qeveri është diametralisht e kundërt me konceptin e drejtësisë dhe çdo ditë qëndrimi aty e shpërfytyron këdo që thirret në të

Nga Liburn Aliu

Gjatë punës së Kuvendit në këtë legjislacion energji të madhe dhe kohë ka marrë një temë që ka tërhequr vëmendjen dhe përkushtimin e deputetëve por edhe të qytetarëve, është reforma në shëndetësi. Ka pasur interesim pasi ka pasur edhe shpresë se ajo do të realizohet. Ministri Agani ndërtoi shpresën për realizimin e reformës në shëndetësi që nga ardhja e tij. U shpresua, ndonëse përvoja nga e kaluara me funksionimin e shëndetësisë bënte të mos besohej shumë dhe jo ndoshta vetëm për fajin e ministrit por për sistemin në tërësi.

Lëvizja VETËVENDOSJE! pati paralajmëruar se reforma në shëndetësi është e shumë e vështirë pa u reformuar i tërë sistemi qeverisës në Kosovë. Ta reformosh shëndetësinë në ambientin e korrupsionit dhe logjikës së profitit mendja racionale e nxjerr si të pamundur.

Ministri sidoqoftë besonte se do ta realizonte reformën dhe për këtë shpresonte edhe në mbështetjen e Qeverisë. Qeveria i dha shpresën për mbështetje por jo më shumë. Dhe ky ia dha mbështetjen asaj në të gjitha projektet e saj.

Ministri dhe subjekti i tij ia dha mbështetjen kudo që kryeministri e kërkoi, për marrëveshjen me Serbinë, privatizimet e dëmshme, etj. e që ne duam të besojmë se këtë e bëri për hir të mbështetjes së premtuar.

Komiteti për shëndetësi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e ka trajtuar idenë e reformës që e kishte ministrit e po ashtu ka dhënë edhe idenë mbi ndryshimet e nevojshme. Kemi bërë përpjekje të përmirësojmë dhe në këtë aspekt kemi dhënë kontribut të vazhdueshëm në komision ku ministri ka qenë pjesëmarrës vazhdimisht në çdo mbledhje dhe ku ka pasur debat kritik. E megjithatë ligji është larg reformës.

Me programin qeverisës të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, reforma i ka katër shtylla, secila nga to e domosdoshme për suksesin:

E para – Nuk mund të ketë reformë pa përfshirje të tërësishme dhe të drejtpërdrejtë të Ministrisë në këtë proces. Autoriteti i ministrit në reformë është i domosdoshëm ashtu si edhe përgjegjësia e tij. Ministri e mendon se duke e bartë përgjegjësinë nëpër borde të një sistemi të ndarë do të ketë reformë. E ka gabim.

E dyta – Që të ketë funksionim të drejtë të sistemit të shëndetësisë, ai duhet të jetë unik dhe jo kështu më shëndetësi primare të ndarë. Kjo pengesë natyrisht vjen nga pakoja e Ahtisaarit dhe tani më ligjin e ri dhe me marrëveshjen e fundit, vlen vetëm për entitetin multietnik dhe jo për pjesën serbe, pasi ata mund ta ndërtojnë në mënyrë unike për vete ndërsa ne nuk mundemi pa lejen e tyre.

E treta – Nuk mund të imagjinohet reforma në shëndetësi pa Sistemin e sigurimeve shëndetësore i cili mbulon edhe shërimin tek privatët në përqindje të lartë.

Dhe e katërta -Nuk mund të ketë ndryshim cilësor e asnjë lloj reforme pa ndarjen e punës në publike ose private.

Kjo ishte pika e vetme e reformës së ministrit që pritej të realizohej dhe ne në këtë pikë e kemi mbështetur Ministrin dhe ligjin e propozuar. Neni 41 që e rregullonte këtë çështje u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese me nismën e deputetit Muja.

Koncepti i profitit doli mbi atë të shërbimit kundrejt qytetarit. U mbrojtën biznesmenët shëndetësorë kundrejt pacientëve dhe mjekëve tjerë.

Zoti Ministër, një element të vetëm pozitiv të reformës pa të cilin nuk mund të imagjinohet ajo ua rrënoi vetë pushteti. E tërë përkrahja që ia keni bërë kësaj qeverie deri tani, u hodh poshtë.

Nuk mendoj se e keni vendin aty në këtë qeveri dhe njëkohësisht të thirreni në subjektin që quhet parti e Drejtësisë. Kjo qeveri është diametralisht e kundërt me konceptin e drejtësisë dhe çdo ditë qëndrimi aty e shpërfytyron këdo që thirret në të.

Nëse keni qenë oportunist kundrejt padrejtësisë së qeverisë për hir të reformës në shëndetësi edhe pse nuk pajtohemi se nuk e konsiderojmë reformë përpjekjen tuaj, tani nuk po e kuptoj përse rrini aty ku jeni. Për të mbështetë marrëveshjet e Thaçit dhe për skandalet e privatizimit. Kjo nuk ka të bëjë me drejtësinë andaj ju bëjmë thirrje të jepni dorëheqje sepse kjo është në të mirën tuaj.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit