

Kreshniku xhuxhmaxhuxh i oborrit të Saliut na dha me ketë rast, ilustrimin më të freskët të proverbit të famshëm që thotë se nacionalizmi është streha e fundit e maskarallëkut
Nga Edi Rama
Fatkeqësisht dyshimi im se AK ishte një sorrë e pushtetit për të çoroditur popullin opozitar e jo një shqiponjë e opozitarizmit, ka marrë formë gjatë procesit qesharak e të shëmtuar që imponoi ajo parti për të (mos)negociuar me PS dhe është provuar sot, kur Kreshniku i nacionalizmës eshte shfaqur si xhuxhmaxhuxhi i radhës në përpjekjen e kotë për ta shitur një produkt të diktaturës së korrupsionit si një forcë vetmitare opozitare që aleat të vetëm paskej popullin!
Çfarë turpi ky i shpërdorimit të simbolit kuqezi për të fryrë një komerdare shpëtimi për pushtetin e korrupsionit që medemek po lufton, duke tërhequr prej hunde njerëz të ndershëm e te lodhur nga politika e nga partitë aktuale!
Çfarë pështirosjeje prej atyre kërkesave të shtruara skuthërisht mes tekstesh provokative, ku mbërrihej deri në marrëzinë e një lufte të ftohtë ballkanike, dhe këmbënguljes për të desantuar 5 diversantë deputetë në listat e PS apo për të përcaktuar se për çdo 10 mijë vota AK duhet të merrte një portofol ministror!
Çfarë talljeje me idealet e me aspiratat e Myslym Pashait e të Pellumb Xhufit që e kanë mbështetur me zemër këtë farsë të Saliut, i gjithë ky sharlatanizëm spektakolar!
Shkurt fjala, Aleanca Kuqezi të dashur miq s’qenkej gjë tjetër përveçse grahma e fundit e Saliut dora vetë.
Ndërsa vetë Kreshniku xhuxhmaxhuxh i oborrit të Saliut na dha me ketë rast, ilustrimin më të freskët të proverbit të famshëm që thotë se nacionalizmi është streha e fundit e maskarallëkut.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





