

Tiranë, 24 prill 2013, NOA.al- Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, zhvilloi sot punimet e Asamblesë së dytë Kombëtare të tij, gjatë së cilës, drejtues të këtij institucioni, por edhe përfaqësues të lartë të shëndetësisë, trajtuan problematikat dhe sfidat kryesore që paraqiten para sektorit infermieror në vendin tonë.
Votimi i sotëm për kryesimin e këtij institucioni, rezultoi me marrjen e votave të shumicës prej presidentit aktual, Sabri Skënderi, i cili u rizgjodh sërish në këtë post për mandatin e ardhshëm me 84 vota pro, kundrejt 15 atyre të marra nga kandidatja tjetër në garë, Alma Pula.
“Ne vijmë në këtë takim me një sërë arritjesh të mëdha, të cilat janë realizuar falë punës sonë, por edhe bashkëpunimit dhe mbështetjes së dhënë nga qeveria, e veçanërisht nga kryeministri Berisha, miku i infermierëve të Shqipërisë, i cili si gjithmonë, por edhe në konferencën tonë të parë, vlerësoi me fjalët më të mira infermierët, mamitë, fizioterapeftët, teknikët e imazherisë, teknikët e laboratorit, logopedistët, duke na quajtur punëtorët e dhimbjes, duke na quajtur heronj të heshtur që luftojnë me vdekjen dhe duke vlerësuar punën tonë në gjithë qeverisjen e tij dhe duke qenë në krye të listës për rritjen e pagave”, tha mes të tjerash, Skënderi.
Duke bërë me tej një analizë të punës së institucionit të UISH-së, ai vuri në dukje edhe faktin se UISH, në zbatim të ligjit nr.9718, të datës 19 prill 2007, si ent publik i pavarur, me mision ruajtjen dhe rritjen e standardeve në kujdesin infermieror, si dhe mbrojtjen e pacientit nga kequshtrimi i profesionit, e nisi veprimtarinë e tij nga asgjë dhe me vështirësi të mëdha, për të cilët të gjithë janë dëshmitarë.
Ai e vuri theksin edhe mbi disa shqetësime kryesore të vëna re nga puna dhe testimet e deritanishme të UISH-së, të cilat kanë të bëjnë direkt me standardin e kujdeseve infermierore në institucionet publike dhe private që janë sjelljet etiko-profesionale të profesionistëve dhe formimi profesional i tyre, të cilat i cilësoi si dy sfidat më të mëdha të UISH.
Duke përfunduar me apelin se infermierët kanë të drejtë që t’u dëgjohet zëri i tyre, si grupimi më i madh profesional, ai tha se infermierët duhet të përfaqësohen në të gjitha nivelet institucionale ku hartohen programe dhe politika për reformën shëndetësore si aktorët më kryesorë të kësaj reforme.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





