Transmetuar më 24-04-2013, 01:54

Aroma e gurabijeve të sapopjekura nga gjyshja ngulitet në memorien emocionale të trurit, ashtu siç ndodh me erën e peshkut të prishur apo të tjera aroma që provojmë, raportuan shkencëtarët izraelitë, që me zbulimet e tyre mund të ndihmojnë në trajtimin e pacientëve me trauma.

Ata thanë se erërat e këqija mund të lënë përshtypjet më të ngulitura, gjë që mund të jetë një mekanizëm mbrojtjeje evolucionare, por edhe erërat e këndshme lënë shenjën e tyre në tru.

"Ne zbuluam se përafrimet e para midis një objekti dhe aromës së tij linin një shenjë të veçantë te truri i njeriut",- tha Yaara Yeshurun e Institutit të Shkencës në studimin e botuar në revistën shkencore Biologjia Aktuale.

"Kjo ngulitje e memorieve fillestare të aromave në trurin e njeriut është e njëjtë për erërat e këqija dhe ushqimet unike për secilën prej tyre".

Për testimin e memorieve të lidhura me erërat, kërkuesit i dhanë një grupi vullnetarësh disa objekte të ndryshme dhe më pas u kërkuan të përqasnin secilin prej tyre me erën përkatëse.

Disa nga erërat dhe zhurmat ishin shumë të mira si era e një dardhe apo tingulli i kitarës, dhe të tjera ishin të këqija si peshk i kalbur apo zhurma e një trepani.

Një javë më vonë, ata u kërkuan të testuarve të kujtonin sendet e testimit dhe zbuluan se njerëzit kishin tendencë të mbanin mend më mirë tingujt dhe shijet e pakëndshme, sesa të tjerat.

Më pas, ata bënë eksperimente të ngjashme me trurin e njerëzve, duke skanuar reagimet me rezonancë magnetike dhe imazhe fMRI.

Në këto eksperimente, sikurse raporton Reuters, ata diktuan se një pjesë e zonave hippocampus dhe amygdala të trurit reagonin kur erërat përqaseshin me objektet që i shkaktonin ato, por jo me tingujt.

Shumë studime të tjera nevojiten, por ata thanë se eksperimentet mund të ndihmojnë në ruajtjen e memorieve te njerëzit dhe gjithashtu në zhdukjen e kujtimeve traumatike dhe anktheve.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit