

Këta që po bëjnë plane “qetësisht” për të minuar zgjedhjet e 23 qershorit, më duket se nuk po shikojnë se përballë ka njerëz. Mendoj se në këtë pikë neglizhence kanë mbërritur hapat e guximshëm të atyre të opozitës: Sikur përballë tyre nuk ka më njerëz…
Nga Frrok Çupi
A nuk shikoni njerëz aty përballë?…
Bajrush Spinoza, një nga filozofët e shquar të shekullit 16, kishte konstatuar të njëjtën “pëlhurë” në sytë e njerëzve; dhe çfarë bëri?!… Mori një stol të vogël dhe një tryezë po kaq të vogël, e doli në një cep rruge në Amsterdam. U ul aty, njësoj si ulen sot bojaxhijtë e këpucëve. Mbi tryezën e vogël vuri disa syza dhe mjete pastrimi. Vetë Spinoza vuri këtë shënim: “Ju shërbej për të fshirë syzat…”. I gjithë akti i filozofit mbante simbolin se duhej pastruar shikimi, disa nuk po shikonin mirë çfarë kishin përballë…
Kështu po ndodh këto ditë mes nesh. Disa njerëz, sidomos udhëheqësit e Opozitës, nuk shikojnë çfarë ka përballë. A ka njeri, apo jo?….
Këta nuk thonë dot as “po”, as “jo”. Megjithatë veprojnë sikur nuk ka. Dje anëtari i katërt i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dha dorëheqjen. Pak ditë më parë e kishte shpallur veten “të ngrirë”, gjë që më krijonte përshtypjen sikur nuk po shikonte mirë por e kuptonte dhe kërkonte “ku është Spinoza” për të fshirë sytë. Dje hoqi dorë edhe nga kjo. Ideja e tij, ose më mirë e padronëve politik, është që të kthehet në “gur të katërt” për të bllokuar zgjedhjet e 23 qershorit. Po mirë, vallë, ka njerëz përballë që duan të zhvillohen zgjedhjet?…
Një javë para këtij veprimi, një anëtar të KQZ, Kuvendi e liroi nga detyra sipas ligjit “për shkak të mashtrimit”. Pastaj në shenjë rebelimi dhanë dorëheqjen edhe dy të tjerë përfaqësues të Opozitës Socialiste (ish- komuniste). Edhe këto ndodhen me të njëjtën ide, se do të pengojnë mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Këta kishin manifestuar të parët se nuk po shikonin mirë a ka njerëz përballë… Dje u bë i katërti, duke i dhënë stimul vetes (Partia Socialiste plus aleatë) se “jemi vetëm ne”, askush nuk ndodhet përballë. Stimuli iu ka dhënë garanci se me kaq zgjedhjet e 23 qershorit “bien në humnerë”.
A ka vallë të tjerë? Të gjithë të tjerët janë përballë. Zgjedhjet nuk mund të anulohen, as të groposen. Sepse vullneti i gjithë të tjerëve, që është shumica absolute e popullit, ka ngritur sistemin e votimit në vend të sistemit komunist diktatorial. Kushtetuta e Republikës iu ka dhënë të drejtën e pamohueshme të gjithëve që ditën e caktuar nga kryetari i Republikës, të venë në kutitë e votimit. Kjo tashmë është vënë në radhët e të drejtave themelore. Kushtetuta detyron edhe shtetin që të shërbejë votuesit, të bëjë gati të gjithë mjetet dhe garancitë për të votuar po atë ditë e po atë orë. Vetë shtetin e përbëjnë të gjithë njerëzit dhe të gjitha kapacitetet e kombit. Atëherë ja ku janë njerëzit që disa nuk i shikojnë. Ironia se as te mendimtari që pastron syzat në cep të rrugës nuk drejtohen…
Të gjithë njerëzit që janë përballë nuk duan të kthehen pas në epokën kur zgjedhjet ishin favori i diktaturës, jo i individit. Sikur të ndodhte e pamundura, atëherë do të shembeshin kolonat që deri më sot nuk janë dyshuar kurrë.
Shiko ç’elementë të tjerë janë përballë: 1. Aleatët e shtetit:
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm tre ditë më parë, thanë prerazi se “nuk mund të shtyhen zgjedhjet”. Veç kësaj, Jonathan Moore, përfaqëues i SHBA, kërkoi nga opozita që të plotësojë vendet vakant në KQZ. Këta akoma nuk e kanë parë as këtë. Por në fakt përballë ka njerëz.
2. Interesat e kombit:
Kthimi në një situatë kur një komb dikush nuk e lejon të mbajë zgjedhje, kjo rëndon mbi kualitetin dhe interesin kombëtar. Atëherë si mund të jetë ky komb pjesë e qytetërimit të përparuar; apo si mund të jetë anëtar i NATO-s, apo si mund të jetë aspirant për në Bashkimin Europian?…. Këto dyshime nuk mund të vihen para kombit. Këtej nga kombi ka njerëz dhe prosperitet.
3. Rudimentet e të djeshmes, e cila akoma nuk quhet e shkuar historike.
Në qoftë se nuk do të lejohej të mbaheshin zgjedhje, atëherë njerëzit do të mbanin mbi vete mëkatin e pamerituar të “nostalgjisë për diktaturën”. Partia Socialiste (ish- komuniste) prej kohësh projekton një hakmarrje në emër të komunizmit për rrëzimin e regjimit në vitet ’90. Por kjo nuk mund të ndodhë, sepse diktaturën e rrëzuan shumica absolute e njerëzve që edhe tani janë përballë… Por është edhe një rudiment i mëvonshëm: Kaosi tragjik i vitit 1997. Në qoftë se nuk lejohen zgjedhjet, atëherë një situatë po kaq e keqe afrohet shumë. Vetë opozita dje kërkoi të krijohet një situatë zgjedhore si në vitin 1996. Ata që përballë shikojnë “vakuum forcash”, sipas filozofisë politike, shikojnë anarki. As Spinoza nuk do të ishte i mjaftueshëm në këtë rast.
Veç njerëzit që realisht janë përballë e shërojnë “sëmundjen” e syve. Përballë ka njerëz, ka ligje, ka shtet, ka parti politike dhe aktivistë pozitiv. Thjesht nuk po i shikojnë dhe prandaj guxojnë të projektojnë idenë se mund të “bëjmë çfarë duam”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





