



Tiranë, 23 prill 2013, NOA.al/Arjola Ymeraj- Kryeministri Sali Berisha ka prezantuar koalicionin parazgjedhor me të cilën Partia Demokratike do të hyjë në zgjedhje, nëpërmjet koalicionit me emërtim “Aleanca për punësim, mirëqenie dhe integrim”.
Në fjalën e tij Kryeministri Sali Berisha si drejtues i koalicionit, falenderoi qytetarët shqiptarë duke thënë se kanë në vëmendjen e tyre vokacionin perëndimor.
Ai tha se sot shqiptarët përjetojnë një ditë historike shumë të veçantë në historinë e vendit, bashkimin e partive politike të cilat kanë në themel vlerat më të çmuara të individit, shoqërisë dhe kombit duke e cilësuar si aleancën më të madhe të vlerave të historisë kombëtare.
“Sot ne tejkalojmë vitin ‘92 kur ishim një lloj fronti, ndërsa sot paraqitemi si forca politike të strukturuara, si forca politike që punojnë në interesin më të mirë të qytetarëve. Ne zgjodhëm si moton tonë punësimin e qytetarëve shqiptarë. Puna është gjëja kryesore për njeriun, për shpalosjen e talentit të tij, ndaj ne jemi të vendosur që të gjitha reformat tona të kenë në vëmendje punësimin e qytetarëve shqiptarë. Mirëqenia është pa diskutim atribut i merituar i çdo qytetari. Në një shoqëri të lirë nuk ka të varfër për shkaqe të tij, të varfrit kanë si shkak mbështetjen e pamjaftueshme nga shoqëria dhe shteti. Beteja jonë për mirëqenie do të jetë më e fuqishmja që kemi realizuar ndonjëherë”, deklaroi Berisha citon noa.al.
Ndër të tjera ai tha se aleanca e integrimit është aleancë e cila vjen në frymën e një populli që ka vokacion perëndimor, ndërsa theksoi se me këtë koalicion do përsëritet fitorja e vitit 1992, kur është shënuar edhe fitorja historike.
Berisha kujtoi se prej dy vitesh në Shqipëri si në asnjë vend tjetër perëndimor, procesi i integrimit u bllokua nga brenda.
“Ndërkombëtarët deklaruan se ishin 3 ligjet që bllokuan statusin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, nuk ndodhi askund ndodhi vetëm në Shqipëri, sepse udhëheqja e sotme e Partisë Socialiste ka për program të vërtetë, testamentin e etërve. Të bashkohemi për të bërë çdo gjë, për të avancuar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Jam i sigurtë se 23 qershori do të jetë përgjigja më e sigurtë për integrimin”, tha ndër të tjera kreu i mazhorancës qeverisëse.
Ai bëri me dije se 24 parti bëjnë pjesë në këtë koalicion, kundrejt atyre që i quajti halat dhe ngjalat e aleancës tjetër.
Berisha e cilësoi si aleancën e vlerave dhe programit, e cila synon t’iu japë shqiptarëve mundësi për të ndërtuar jetën e tyre dhe të ecin si komb i lirë dhe i sigurtë drejt së ardhmes evropiane. Kryeministri ftoi qytetarët shqiptarë që në këtë periudhë të gjithë duhet të angazhohen në fushatën më qytetare dhe më të vendosur në gjithë historinë e vendit.
Sakaq në fjalën e mbajtur para nënshkrimit, Ridvan Bode deklaroi angazhimin për një Shqipëri me të ardhme më të mirë, përmes punësimit dhe mirëqenies, duke lexuar disa nga pikat e programit..
“Ne nënshkruesit e kësaj marrëveshje biem dakord se një Shqipëri evropiane nis nga rrugët, portet, energjia etj dhe ky zhvillim duhet të ndodh në mënyrë graduale. Ne qëndrojmë të bashkuar se më shumë vende pune dhe paga më të larta janë thelbësore për një Shqipëri në progres. Ne besojmë në investimet e huaja, energji dhe infrastrukturë ne besojmë në hapjen e vendeve të reja të punës”, deklaroi Bode.
Në vijim ai tha se pas dekadave izolim vendi i Shqipërisë është integrimi europian, duke thënë se nuk do gjendet paqe deri sa 3 ligjet të jenë votuar.
Në këtë koalicion spikasin Partia Demokratike, Partia Republikane, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partia e Lëvizjes së Legalitetit, Aleanca Demokratike, Partia Demokristiane, Partia Bashkimi Liberal Demokrat, Partia e Ballit Kombëtar, etj.a.y/noa.al
Marrëveshja e Koalicionit “Aleanca për Punësim, Mirëqënie dhe Integrim”
Ne, nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje, jemi sot të bashkuar në parime dhe synime për ndërtimin e një Shqipërie më të fortë, dhe për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët. Ne angazhohemi në parimin e një Shqipërie Europiane, përmes tre shtyllave themelore – punësim, mirëqenie dhe integrim. Punësim do të thotë më shumë vende pune, mirëqënie do të thotë mirëqenie për cdo qytetar dhe integrim do të thotë të bashkuar në një të ardhme europiane.
Ne jemi të bashkuar për të arritur këto synime për qytetarët. Ne nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje, biem dakord se një Shqipëri e zhvilluar dhe evropiane fillon me infrastrukturë të re dhe të modernizuar. Kjo nis nga rruget dhe vazhdon me portet, aeroportet, shkollat, ujin, energjinë dhe vepra të tjera publike. Dhe ne besojmë se ky zhvillim duhet të ndodhë në të gjithë komunitetet – urbane dhe rurale – sepse të gjithë qytetarët janë pjesë e një Shqipërie të zhvilluar, pavarësisht se ku ata jetojnë.
Ne, nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje, qëndrojmë të bashkuar në besimin tonë se më shumë vende pune dhe pagat më të larta, janë thelbësore për krijimin e një Shqipërie të zhvilluar dhe europiane. Dhe se qeveria, nuk mund të ndërtojë e vetme një Shqipëri të begatë – progresi varet gjithashtu nga suksesi i sektorit privat, i biznesit dhe nga suksesi i çdo individi. Ndaj ne besojmë në sipërmarrjen e lirë, ndërhyrjen e kufizuar të qeverisë dhe forcimin e lirisë, në zgjedhjet dhe mundësitë për qytetarët.
Ne besojmë në forcimin e klimës së biznesit duke ulur taksat, duke e bërë më të lehtë për të hapur, drejtuar dhe zhvilluar një biznes. Ne besojmë në tërheqjen e investimeve të huaja, në investimet në infrastrukturë, në përmirësimin e arsimit, në zhvillimin e energjisë dhe burimeve natyrore.
Duke zhvilluar sektorët që janë motorrët e ekonomisë sonë, ne besojmë në krijimin e vendeve të reja të punës nga biznesi i vogël, prodhimi industrial, turizmi dhe bujqësia.
Ne gjithashtu besojmë në investimin e në krijimin e vendeve të punës të së ardhmes, në teknologjitë e reja. Dhe ne qëndrojmë afër me fermerin, punëtorin e fabrikave, me elektricistin, me kamarierin, sipermarrësin, lavazhierin, këpucarin dhe të gjithë qytetarët që kerkojnë nje jetë më të mirë.
Ne qëndrojmë të bashkuar në besimin tonë se tregu i lirë, konkurenca dhe taksat e ulëta, krijojnë më shumë vende punë, fuqi më të madhe blerëse dhe një cilësi më të mirë të jetës për të gjithë qytetarët. Ne besojmë se kemi një përgjegjësi të veçantë për të përgatitur të rinjtë për të konkuruar në tregun europian të punës. Dhe ne jemi të bashkuar në besimin tonë, se të rinjtë duhet të gëzojnë çdo mundësi dhe të gëzojnë lirinë për ta zgjedhur vetë të ardhmen e tyre. Ne besojmë se çdo qytetar duhet të ketë mundesinë ta ndërtojë jetën sipas zgjedhjes personale. Për këtë arsye, ne qëndrojmë të bashkuar jo vetëm në parime dhe qëllim, por edhe në rrugën e zgjidhjes dhe në nisma siç janë ruajtja e taksës së ulët të sheshtë 10 për qind, shtrimi i 4.500 kilometra rrugë të tjera shtesë, krijimin e Gjykatës Administrative, dhe mbështetje në çdo mënyrë të mundshme të Projektit për Gazsjellësin Trans-Adriatik.
Ne nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje, besojmë se një Shqipëri e zhvilluar dhe europiane duhet të sigurojë mirëqenie për të gjithë qytetarët. Ne besojmë se qeveria ka një përgjegjesi të veçantë që të mos shkelë kurrë të drejtat natyrale të qytetareve, por qeveria ka gjithashtu përgjegjesi për të mbrojtur më të dobëtit mes nesh. Ne besojme në një qeveri efiçente, që ofron shërbim cilësor dhe garanton mirëqënien e cdo qytetari. Prandaj, ne qëndrojmë të bashkuar në angazhimin tonë për përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor, për garantimin, mbrojtjen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve, për mbrojtjen e mjedisit për brezat e ardhshëm, për investimin në përmirësimin e arsimit për të rinjtë, për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore, dhe mbështetjen për artin dhe rritjen e mundësive për invesimin në sport.
Dhe ne qëndrojmë të bashkuar në angazhimin tone për avancimin e grave në shoqëri, mbrojtjen e fëmijëve, asistence për invalidët mbrojtjen e pakicave kombëtare, sigurinë financiare të pensionistëve, nderim për veteranët dhe dinjitet për të papunët dhe shtresat më në nevojë mes nesh.
Ne mbetemi të vendosur për tu garantuar drejtësi për ish të përndjekurit politikë, integrimin dhe dëmshpërbilimin moral e ekonomik të tyre. Ne jemi të vendosur për të ccuar deri në fund kthimin, kompensimin dhe dëmshpërblimin e shtresës së ishpronarëve, sipas kritereve dhe standarteve më të mira europiane.
Ne jemi të angazhuar për të siguruar mirëqenien e të gjithë shqiptarëve pa dallim, kudo ku jetojnë, nëpërmjet thellimit të aleancave të NATO-s, inkurajimin e vlerave euro-atlantike dhe ndertimin e një marrëdhënieje të veçantë me Kosovën, që shkon përtej miqësisë.
Ne jemi të bashkuar jo vetëm në parime dhe qëllim, por edhe në rrugën e zgjidhjes dhe në nismat për garantimin e ilaceve në spitale, vendosjen e kompjuterve në çdo klasë, përdorimin e teknologjive të reja në luftën ndaj krimit; dhe shtimit të vazhdueshëm të numrit të mjekëve, infermiereve, mësuesve si dhe rritjes së pagave të tyre.
Ne nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje, besojmë se integrimi është thelbësor për të ardhmen tonë evropiane. Ne besojmë se pas dekadave izolim, Shqiperia e ka vendin në Bashkimin Europian dhe se për shumë gjatë, integrimi Europian është mbajtur peng nga interesat e ngushta politike mbi interesat kombëtare. Dhe ne nuk do të tërhiqemi, nuk do të pushojmë përpjekjet dhe nuk do të gjejmë paqe, derisa tre ligjet që kërkon integrimi, të jenë miratuar, dhe aderimi europian i Shqipërisë të jetë zhbllokuar.
Ne gjithashtu njohim nevojën e vazhdimit të një qeverisje më të mire, për të siguruar të ardhmen tonë evropiane dhe për t’u dhënë qytetarëve qeverinë që ata meritojnë. Ndaj jemi të angazhuar për transparencë, përdorimin e teknologjisë në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe për kursimin e parave të taskapaguesve. Jemi të angazhuar në luftën kundër korrupsionit, duke e bërë qeverinë më të përgjegjshme ndaj qytetarëve, në garantimin e sundimit të ligjit, reformimin e gjyqësorit dhe profesionalizimin e shërbimit civil, dhe për më shumë autonomi për qeverisjen vendore.
Dhe mbi të gjitha, ne besojmë se qeveria që duhet të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe se zyrtarët duhen të dalin nga vota e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku çdo votë është e numëruar dhe ku dëgjohet zëri i cdo qytetari.
Ne besojmë jo vetëm në parime dhe qëllim të përbashkët, por edhe në rrugën e zgjidhjes dhe në nismat e nevojshme për votimin e tre ligjeve, që aktualisht bllokojnë endrren europiane të shqiptarëve. Ne besojmë në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe vazhdimin e forcimit të sundimit të ligjit.
Si koalicioni për punesim, mirëqenie dhe integrim, ne i qëndrojmë marrëveshjes se interesat e qytetarëve i udhëheqin përpjekjet tona, punën tonë, zgjidhjet, nismat dhe veprat tona. Se interesi i qytetareve është përmbushur kur të arrijmë të ardhmen tonë të zhvilluar europiane, përmes më shume vendeve të punës, mireqenies dhe integrimit në familjen europiane.
Së bashku me qytetarët, ne do të punojmë për të arritur një Shqipëri të bashkuar, të zhvilluar dhe evropiane.
Ne nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje, me vullnet të lirë, të bashkuar në parime dhe qëllim bëhemi pjesë e Aleancës për Punësim, Mirëqënie dhe Punësim.
Për individin, për familjen dhe për vendin tonë.
Lista e plotë e 24 partive të koalicionit "Aleanca për Punësim, Mirëqënie dhe Punësim"
Partia Demokratike
Prof. Dr. Sali Berisha
Partia Republikane
Fatmir Mediu
Partia për Drejtësi dhe Integrim
Shpëtim Idrizi
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar
Dashamir Shehi
Partia Agrare Ambientaliste
Lufter Xhuveli
Partia Lidhja Demokristiane
Nikoll Lesi
Partia Lëvizja e Legalitetit e Shqipërisë
Ekrem Spahiu
Partia Aleanca Demokratike Shqiptare
Arben Demeti
Partia Bashkimi Liberal Demokrat
Arjan Starova
Partia Demokristiane e Shqipërisë
Nard Ndoka
Partia Balli Kombëtar Demokrat
Artur Roshi
Partia e Minoritetit Grek për të Ardhmen
Kristo Kiço
Partia e të Drejtave të Mohuara e Re
Fatmir Hoxha
Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet
Gaqo Apostoli
Partia Konservatore Shqiptare
Armando Ruco
Partia Ora e Shqipërisë
Zef Shtjefni
Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar
Ylber Valteri
Partia Aleanca e Maqenonasve për Integrim Europian
Edmond Themelko
Partia e të Drejtave të Mohuara
Ilir Vata
Partia Lëvizja Shqipëria e Re
Edmond Vlashaj
Partia Demokracia e Re
Koci Tahiri
Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë
Selami Jenishehri
Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare
Muharrem Doda
Partia Civile e Shqiperise
Dritan Broka
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





