

Sekretari Amerikan i Shtetit, z. John Kerry është ftuar zyrtarisht nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, z.Aldo Bumçi për të kryer një vizitë në Shqipëri.
Burime zyrtare nga ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë thanë të martën se ftesa e z.Bumçi është pritur me kënaqësi nga Sekretari Kerry.
Z.Kerry është angazhuar të vizitojë Tiranën, në një kohë të përshtatshme, në kuadrin e ftesës së kryediplomatit shqiptar.
Ftesa e z.Bumçi erdhi pasi të martën, ai u takua me Sekretarin Amerikan të Shtetit, z. John Kerry, në kuadër të Ministerialit të NATO-s që po zhvillohet në Bruksel.
Ministri i Punëve të Jashtme, z. Aldo Bumçi tha se gjatë takimit u konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe u shpreh dëshira e ndërsjellë për thellimin e tyre në të ardhmen.
Ministri Bumçi i shprehu mirënjohjen Sekretarit Kerry për rolin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë në kuadrin dypalësh, për anëtarësimin në NATO, dhe ndaj çështjes shqiptare në rajon.
“Shqiptarët ushqejnë ndjenjat më të thella dhe dashamirëse ndaj popullit dhe lidershipit amerikan, duke vënë në dukje edhe rolin e paçmuar mbështetës për arritjen, së fundmi, të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë”, ka deklaruar ministri Bumçi.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





