

Proceset në Kosovë janë të pakthyeshme dhe të panegociueshme, tha sot presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në një ligjëratë në Universitetin e Oxford-it, në Britaninë e Madhe, me temën "Rruga e Kosovës në shtet ndërtim dhe e ardhmja e saj evropiane".
"Synimet territoriale për cilëndo pjesë të territorit të vendit tim janë të papranueshme", theksoi ajo. Ne, vijoi Jahjaga, i kemi dhënë të gjithë qytetarëve të drejtën në një autonomi komunale, bazuar në Kushtetutë dhe në ligjet e Kosovës.
"Kjo e drejtë ka nënkuptuar edhe krijimin e komunave të reja, atje ku ka një shumicë të komuniteteve joshqiptare", tha ajo duke shtuar se, Kosova nuk mund të lejojë shkatërrimin e arritjeve të deritashme dhe në veçanti nuk mund të ndryshojë realitetin e një vendi shumë kulturor.
"Kosova është sovrane në të gjitha pjesët e saj, edhe në komunat në veri të vendit. Është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, kudoqofshin ata, brenda kufijve të përcaktuar të tij", theksoi presidentja Jahjaga. o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





