

Java që kaloi ishte një javë shumë e rëndësishme për atë që mbetet prej kohësh stacioni më i parë i aktivitetit politik për PDIU-në: miratimi i rezolutës për zgjidhjen e çështjes çame. U diskutua në Komisionin e Jashtëm dy herë, u negociua me relatorët; PS paraqiti një rezolutë alternative dhe PD-ja, me gojën e kryetarit të Komisionit të Jashtëm, zotit Fatos Beja, pretendoi se rezoluta e 2004-s ishte e miratuar.
Nga Shpëtim Idrizi
U zhvillua një protestë e madhe me mbështetjen e PDIU-së dhe shoqatës “Çamëria”, me përfaqësues nga gjithë trojet shqiptare me thirrjen: “Miratoni rezolutën!”. Ngjarjet e javës që shkoi nevojitet të zbërthehen në domethënien e tyre. Pse them që java që kaloi ishte e rëndësishme? Pse faktori kohë është shumë i rëndësishëm? Çfarë u arrit javën që kaloi? Cila është vlera e PDIUsë në këtë aksion politik? Cila mund të jetë vlera e PDIU-së në të ardhmen? I kam vënë rëndësi javës që shkoi, sepse si rezultat i aktivitetit të madh të PDIU-së, që kulmoi pikërisht në atë javë të dytë të prillit, administrata e Parlamentit dhe vetë kryetarja e Kuvendit, u detyruan ta pranonin se rezoluta e 8 prillit 2004 ishte e miratuar. Ajo do të botohet në Fletoren Zyrtare dhe me këtë veprim ajo do të konsiderohet si akt me fuqi të plotë ligjore. Pse ndodhi kjo? Sepse ne i thamë qartë klasës politike të dy krahëve se qëndrimi ndaj rezolutës është guri i themelit për aleancat tona parazgjedhore. Ne refuzuam të përfshiheshim në qeveri, të merrnim një post ministri pa miratuar rezolutën. Ndaj, në javën që kaloi ne detyruam tërë klasën politike, forcat kryesore të saj, opinionin publik, mediat kryesore të flisnin si kurrë më parë për Çamërinë në të gjitha format, me deklarata politike, tekste juridike, me debate etj. E përbashkëta e këtyre diskutimeve ishte: çështja çame ekziston; ajo duhet të vihet në tryezën e diskutimeve me Greqinë dhe duhet të zgjidhet. Më konkretisht, nën presionin e PDIU-së, presion që bëhet më i suksesshëm për shkak se jemi në periudhën e krijimit të aleancave parazgjedhore, Partia Socialiste paraqiti një projektrezolutë alternative. Në këtë iniciativë kishte një dëshirë për protagonizëm të një partie të madhe, sepse PS-ja nuk pranoi të mbahej për bazë teksti ynë i projektrezolutës. PS-ja bëri një lidhje të sforcuar midis komunitetit çam dhe atij grek në Shqipëri, por më e rëndësishmja ishin dy pika të këtij projekti alternativ të së majtës: çështja çame është çështje politike e pazgjidhur në kuadër të çështjes kombëtare, dhe për të duhet të raportohet çdo 6 muaj në Kuvendin e Shqipërisë. Në këto kushte, Partia Demokratike, nën nevojën e mosmbetjes mbrapa në lidhje me çështjen çame, nxori në dritë tekstin e rezolutës së 8 prillit 2004, e cila, sipas zotit Fatos Beja, rezulton e miratuar, megjithëse nuk është botuar në Fletoren Zyrtare. PD, e cila nuk do të pranojë të shqyrtojë një tekst të PS-së, zgjodhi këtë rrugë. Presioni i PDIU-së, një parti e rëndësishme për rezultatin e zgjedhjeve dhe fatin e çdo shumice parlamentare, i shtyu kështu dy partitë e mëdha të viheshin në garë për të mbrojtur ekzistencën e çështjes çame dhe nevojën e zgjidhjes së saj. Teksti i projektit të 2004-ës është gjithashtu një tekst shumë i mirë, i cili përmban kërkesën për heqjen e ligjit të luftës etj.
ÇFARË BËRI TJETËR PDIU-JA?
PDIU kërkoi që në këto kushte, Kryesia e Parlamentit të certifikojë miratimin e këtij teksti të 2004-ës dhe t’i japë fuqi ligjore duke e botuar në Fletoren Zyrtare. PDIU-ja kërkoi që ky tekst të lexohet në seancën e ardhshme plenare të Kuvendit. Kjo do të thoshte që vullneti i Parlamentit të asaj kohe të konfirmohej sërish dhe me solemnitet. Në prag të zgjedhjeve, dy partitë kryesore, Kuvendi, do detyroheshin të shprehnin angazhimin e tyre në favor të zgjidhjes së çështjes çame. Duke dashur që të trimërojmë Kuvendin, duke dashur që të nxjerrim Kalin e Trojës nga Kuvendi, duke dashur që të çlirojmë Parlamentin e shqiptarëve nga rrethimi grek, duke e vendosur atë në rrethimin miqësor të shqiptarëve, ne organizuam një protestë të madhe, ku ishin të pranishëm përfaqësues të ndritshëm të kombit shqiptar nga Kosova dhe Presheva, si Adem Demaçi dhe Flora Brovina. U konfirmua qëndrimi i shqiptarëve si komb, se pas zgjidhjes së çështjes së Kosovës radhën e ka Çamëria. PDIU-ja tregoi se është një subjekt i besueshëm, i vetmi që e përfaqëson me dinjitet çështjen çame, që është pikë referimi për këtë çështje në gjithë hapësirën kombëtare, por dhe në skenën politike shqiptare. A nuk është ky një sukses i madh? A nuk i detyruam ne dy partitë e mëdha të viheshin në garë për të mbrojtur çështjen tonë? Falë presionit tonë, falë nevojës që partive të mëdha kanë për ne, ajo parti, PS-ja, që dikur abstenoi, sot paraqiti një rezolutë alternative. Partia tjetër, PD-ja, që dikur votoi pro rezolutës, u detyrua ta nxirrte nga sirtarët dhe të thoshte se ajo rezolutë është miratuar. Shqiptarët nga të gjithë anët, nëpërmjet protestës së organizuar nga PDIU dhe shoqata “Çamëria”, thanë se do rrinë në këmbë derisa Parlamenti ta konfirmojë vullnetin për të zgjidhur çështjen çame. Një pjesëmarrje kaq e madhe në protestë, një konsensualitet si ky i dy partive të mëdha në favor të zgjidhjes së çështjes çame, megjithëse me dy tekste të ndryshme, shpalosja e këtij qëndrimi në kuadër të fushatës elektorale, kur partitë marrin zotime para elektoratit, është me të vërtetë diçka e paimagjinueshme. Ne do të donim që rezoluta të miratohej mbi baza individuale nga deputetët, dhe jo nga partitë, por papritmas partitë u trimëruan dhe u vunë në garë për të shpallur një qëndrim në favor të zgjidhjes së çështjes çame. Në këto kushte, unë pyes: a mund të ndodhte kjo që ndodhi javën që shkoi nëse nuk do të ishte PDIU-ja? Përgjigjja është shumë e qartë: JO. Nëse nuk do të ishte PDIU-ja, por shoqata “Çamëria”, projektrezoluta e 2004-s do të kishte mbetur në sirtarët e Parlamentit, nën pluhurin e harresës dhe mungesës së dinjitetit kombëtar. PS-ja s’do konsideronte ndonjë tekst alternativ. Jo pse shoqata “Çamëria”, e para shoqatë pluraliste, s’ka bërë asgjë. Përkundrazi, ajo ka bërë shumë. Por se për të miratuar një qëndrim të tillë të Parlamentit duhej një instrument politik, siç është partia jonë. Kjo parti zgjodhi një moment politik të veçantë për t’i detyruar partitë, siç është periudha parazgjedhore. Në garë dhe për të marrë mbështetjen e PDIU-së, partitë e mëdha u detyruan të viheshin në garë dhe për rezolutën. A do ta bënin këtë që bënë dy partitë nëse ne do ta kishim propozuar tekstin më parë? Jo, sepse forca jonë nuk do ishte kaq e madhe sa disa ditë para fushatës së zgjedhjeve. Ja pse koha e zgjedhur për të propozuar rezolutën ishte faktor vendimtar në pajtimin e dy forcave politike, pavarësisht se rreth dy teksteve të ndryshme, në një qëndrim të vetëm: çështja çame është çështje e pazgjidhur dhe se qeveria duhet të punojë për zgjidhjen e saj, duke i raportuar Parlamentit.
PDIU-JA NESËR
Por, kujdes, kjo s’ është për ne dhe për komunitetin çam, motiv vetëkënaqësie. Rezoluta, siç e thashë në fillim, është stacioni i parë, por jo i fundit i PDIU-së. Rezoluta nuk është qëllimi ynë,- zgjidhja e çështjes çame, por vetëm mjeti politik për arritjen e saj. Ne do të kërkojmë që partitë e mëdha të mos i ndajnë fjalët nga veprat, siç kanë bërë dikur. Në legjislaturën e ardhshme ata duhet t’u përmbahen premtimeve që bënë javën që shkoi dhe që do duhet t’i konfirmojnë sërish. Secila parti që vjen në pushtet do duhet të jetësojë projektrezolutën. Secila parti që vjen në pushtet do duhet të japë llogari para Parlamentit, votuesve dhe ndërgjegjes kombëtare. Secila prej tyre ka nevojë për PDIU-në. Sa më e fortë të jetë PDIU-ja, aq më e detyruar do të jetë secila prej partive që do të vijë në pushtet, që të angazhohet për zgjidhjen e çështjes çame. Imagjinoni sikur PDIU-ja të ketë jo dy, por 5 deputetë, të gjithë të një mendjeje, të gjithë të ndërgjegjshëm për amanetin e të parëve tanë: t’u japim atyre një varr në tokën e tyre; të kthejmë të drejtat e të gjallëve në tokën e tyre, në pasuritë e tyre, që dikush ia grabiti duke shfrytëzuar lojërat politike të Fuqive të Mëdha pas Luftës së Dytë Botërore. A do ketë më lojëra me çështjen çame? Jo, me siguri.
"Panorama"
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





