

Tiranë, 21 prill 2013, NOA.al- Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur sërish marrëveshjen e 19 prillit mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duke e cilësuar si një marrëveshje vërtetë historike.
Sipas tij kjo marrëveshje dëshmon konsolidimin e Kosovës si shtet i pavarur, ndërsa me zbatimin e saj, marrëveshja përbën bazën e normalizimit të marrëdhënieve midis këtyre dy shteteve të pavarura dhe çel rrugën që këto dy vende, por edhe serbët dhe shqiptarët në tërësi, të nisin një epokë të re në marrëdhëniet midis tyre, në interes të së ardhmes së tyre europiane.
“Marrëveshja është një kontribut madhor për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kosova me këtë marrëveshje arrin njohjen dhe pranimin e integritetit territorial të saj nga Serbia, por dhe vendosjen e bashkëpunimit me këtë vend si dhe garantimin e perspektives së integrimit në BE. Serbia me këtë marrëveshje shkëputet nga një trashëgimi recente e pafavorshme dhe, siç do të deklaronte Kryeministri i saj, ajo do të zgjidhte dhe do të përcaktohej për BE-në dhe të ardhmen e saj europiane. Edhe një herë urimet më të mira për të gjithë ata që bënë të mundur këtë marrëveshje historike në interes të shqiptarëve, serbëve dhe të të gjithë rajonit”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
Në vijim Kryeministri u kujton miqve të tij virtualë që të mendojnë për një moment bllokimin nga Edi Rama të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë duke mos votuar tre ligjet.
Në këtë linjë Berisha shprehet, “Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të themi Zoti e ruajt Shqipërinë nga shqiptarë si ky. 23 qershori po vjen. Shqiptarët do të votojnë për të shembur murin e bllokimit për të ardhmen e tyre evropiane”.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





