

Tiranë, Noa.al – Avokati i Popullit, Igli Totozani vlerësoi sot raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut.
Në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e Avokatit të Popullit nënvizoi se, “ raporti është një analizë e vërtete e gjendjes në Shqipëri.” “Problematikat e ngritura nga DASH janë tejet të rëndësishme. Do t’i përkthejmë në prioritet pune për institucionin tonë”, deklaron Avokati i Popullit sipas të cilit, Raporti i DASH është një dokument pune mjaft i rëndësishëm për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut; raporton noa.al.
“Ne konstatojmë se Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit është një vlerësim dhe analizë e thelluar dhe e vërtetë e gjendjes së të drejtave të Njeriut në vendin tonë dhe se në të gjejnë pasqyrim të gjitha problematikat dhe shqetësimet e ngritura edhe nga institucioni i Avokatit të Popullit., siç është gjendja e komunitetit rom, atij egjiptian, problemet e personave me aftësi të kufizuar, gjakmarrja dhe pasojat e saj, gjendja e të drejtave të Njeriut në vendet e kufizimit të lirisë, të drejtat e komunitetit LGTB, dhuna në familje dhe veçanërisht ajo ndaj grave.”
Sipas Avokatit të Popullit, mënjanimi dhe abuzimi i bashkësive rome dhe egjiptiano-ballkanike ishin probleme të rëndësishme të të drejtave të njeriut. "Probleme domethënëse ishin edhe rrahja nga policia dhe keqtrajtime të tjera të të dyshuarve gjatë ndalimit dhe marrjes në pyetje, hera-herës për t’u nxjerrë rrëfime. Probleme të tjera përfshinin dhunën në familje dhe diskriminimin kundër gruas, abuzimin e fëmijëve, si dhe diskriminimin mbi bazë orientimin dhe identiteti gjinor. Vazhduan të raportoheshin raste të trafikimit të personave”, përfundon deklarata për mediat,o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





