

Ndërroi jetë në moshën 73-vjeçare sot në Tiranë, ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Abdulla Kollazi. I ndjeri vuante nga një sëmundjeje të gjatë.
Abdulla Kollazi ishte nënkryetar i Bashkisë së Tiranës në vitet e para të rrëzimit të sistemit diktatorial komunist që nga 1991-1992 në drejtimin e Tomor Malasit, të zgjedhur nga Partia Demokratike, asokohe në opozitë.
Ai ka ushtruar detyra të rëndësishme në nivelin vendor dhe qendror, duke ndihmuar në demokratizimin e jetës së vendit dhe posaçërisht në fushën e arsimit.
I ndjeri udhëhoqi Seksionin e Arsimit në Bashkinë e Tiranës, pas një përvoje të gjatë në fushën pedagogjike, të mësimdhënies si dhe në drejtimin e gjimnazit më të vjetër të kryeqytetit, “Qemal Stafa” si dhe të gjimnazit tjetër “Sami Frashëri”. Me largimin nga jeta të Abdulla Kollazit, familja, të afërmit, miqtë dhe dashamirët humbën njeriun e tyre të gjendur pranë në çdo çast.
Familja njoftoi se ceremonia mortore dhe varrimi i Abdullah Kollazit do të kryhet në varrezat e Sharrës, të dielën më 21 prill 2013, duke u nisur nga ora 13:00 nga shtëpinë e tij pranë sheshit “Uillson” në kryqëzimin e Tiranës së Re. /d.n/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





