

Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës, ka hedhur dje në Bruksel firmën mbi një marrëveshje me ndikime të shumëfishta. Së pari, normalizon raportin me fqinjin dhe deri dje kundërshtarin kryesor në rrafsh ndërkombëtar, Serbinë, deri në atë shkallë sa firma e djeshme e kryeministrit serb, Ivica Daçiç, është de facto edhe njohje që Beogradi i bën Republikës së Kosovës. Së dyti, marrëveshja e firmosur prej Thaçit dhe homologut të tij serb fut brenda një kornize ligjore lokale dhe ndërkombëtare problemin e veriut, duke e ‘çliruar’ praktikisht edhe Mitrovicën veriore të ndarë nga ura e famshme mbi lumin Ibër.
Nga Alfred Lela
Së treti, firma e dy krerëve të qeverive të Kosovës dhe Serbisë ka një implikim edhe më triumfalist se dy të parët: i hap rrugën integrimit të të dy vendeve në BE. Në këtë pikë, sigurisht Serbia ka shkuar më larg; asaj i hapet rruga e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, por edhe Kosova i afrohet një ‘lëshimi’ që kryeministri Thaçi e ka kthyer në thuajse bast personal të liberalizimit të vizave.
Marrëveshja ka edhe implike të tjera, duke qenë se pritet shtensionimi i situatës, shkrirje e strukturave paralele serbe, normalizimi i jetës së komuniteteve që jetojnë këndej e andej urës së Ibrit, lehtësirat në komunikimin njerëzor, tregtar, kulturor e të tjera.
Pos këtyre, marrëveshja, në parim, e bën Kosovën shtet edhe të pakicës serbe, e cila për shkak të zhvillimeve të kahershme apo më të reja, por ndoshta edhe nën një ndjenjë faji është ndjerë e përjashtuar ose është vetëpërjashtuar nga jeta në Kosovë si shtet i përbashkët i të gjitha kombësive që jetojnë aty.
NE HISTORINE ENDE TE SHKURTER të shtetit të Kosovës Hashim Thaçi, për meritë të tij, mendojnë disa, e për rrethana të fatalitetit ca të tjerë, zë vendin kryesor. Ai mund të konsiderohet me të drejtë si një founding fathter (at themelues) i Republikës. Boja që skicon portretin e tij në histori duket sikur rrjedh nga penat që kanë hedhur tri firma vendimtare për fatin e djeshëm, të sotëm dhe të nesërm të Kosovës. E para ka qenë sigurisht firma me kaligrafi të dridhur e të heshtur mbi marrëveshjen e Rambujesë. Hashimi i asokohe, djali i ri dhe i heshtur, që hynte e dilte në Shqipëri në këmbë nëpërmes kufirit, me namin e madh dhe emrin e mirë të luftëtarit të lirisë, e pa veten në qendër të botës, kur bota prej muajsh kish dalë nga normaliteti për të jetuar në majën më të lartë të saj: avionë bombardues për të shmangur genocidin.
Hashim Thaçi, sekretari politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumë i ri asokohe për vendin me të cilin historia e kish befasuar, befasoi historinë e ndoshta edhe veten, kur vendosi të hidhte firmën mbi dokumentin e hartuar nga ekspertët ndërkombëtarë. Ai tekst nuk ishte amaneti me të cilin shokët e armëve e kishin nisur për në dhe’ të huaj; ata donin lirinë, e bashkë me të edhe pavarësinë prej shkjaut. Lufta që kurrë nuk pat munguar në ato anë, kish mbërritur në fund të shekullit 20 e motorizuar dhe e pamëshirshme kësaj here, me benë e madh për ta zhbërë tjetrin; njëherë e përgjithmonë; përfundimisht.
Në Fushë të Mëllenjave, si në qershor të 1389, do të ndesheshin edhe njëherë ushtritë: anipse ata që kishin qenë bashkë asohere, kësajhere do të kërkonin njëri-tjetrin për pikën e fundit të gjakut. Epika e thërriste me një zë të lashtë të birin e derës së Thaçëve; me një aht që këlthiste: jo pena, por pushka në këtë jetë e atë jetë i ndan punët me serbin!
Por Hashimi, djaloshi që nuk ishte bërë ende z. Thaçi, zgjodhi historinë në vend të epikës. Me atë zhdërvjelltësinë e mendjes që vjen prej instinktit më shumë se prej leximeve, guerilasi i UÇK-së arriti ta shquante se, historia më shumë se nëpër shekuj banon tek e nesërmja. Tek e ardhmja e shqoi shenjën që merrte formën e Kosovës së lirë e të mëvetëshme dhe u tha ‘po’ ndërmjetësve ndërkombëtarë, amerikanes Madaleine Albright e britanikut Robin Cook. E hodhi firmën. Serbët e refuzuan, sepse ata zgjodhën epikën, jo historinë.
HASHIM THAÇI DO TE LEVIZTE, PAK KOHE pas asaj firme që e vuri Kosovën përfundimisht në anën e drejtë të historisë; edhe njëherë tjetër në kah të kundërt me serbët. Ai bashkë me formacionet e UÇK-së e trupat e NATO-s do të futeshin në Kosovë si çlirimtarë, ndërkohë që serbët largoheshin, ende nën imagjinaren e mbetur në nebulozën e psikës serbe:Kosovo je Srbija.
Thaçit, të cilit i duhej të dilte prej kamuflazhit të xhaketës së guerilasit për t’u futur shpejt brenda kostumit të politikanit, nuk i interesonte kjo. Kosova e lirë e firmës së Rambujesë duhet të takonte Kosovën e pavarur, për të cilën kishin marrë pushkët djemtë e UÇK-së.
U desh rrugë e gjatë deri atje: e gjatë jo në kuptimin historik, por e bërë e mundimshme nga buldozeri i padurimit për të parë ligjërisht e botërisht simbolin Republika e Kosovës të pëshpëritur e të bërtitur, jo si të ishte amaneti i fundit, por një mirëmëngjes që u jep të njohurve në rrugë.
Nëntë vjet më vonë, si në legjenda, nëntë male e nëntë dete përtej, amaneti u bë mirëmëngjes. Të tillë, përshëndetëse, të madhe e të verdhë, në një gjuhë ndërkombëtare që ta merrte vesh e gjithë bota, e pati edhe lajmërimin, në një shesh të Prishtinës: NEWBORN.
Thaçi, tashmë kryeministër, i thinjur por sërish pensiv dhe i ftohtë si një pishë në malet e Sharrit, do të shqiptonte: Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Pastaj firma. E dyta. Mbi një pergamenë. Teksa boja thahej, para syve të Thaçit shfaqej Hashimi dhe firma e parë e tij në Rambuje.
"Mapo"
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





