

SHIKONI TE GJITHA FOTOT
Tiranë, 20 prill 2013, NOA – Kryeministri Sali Berisha përshëndeti sot nisjen e punimeve për ndërtimin e xhamisë së re të Tiranës, duke e cilësuar këtë ditë të rëndësishme për besimtarët myslimanë shqiptarë dhe rivendosje e së drejtës së tyre.
“Sot ndahemi nga qëndrime paragjykuese, nga qëndrime të inspiruar kryekëput nga ateizmi dhe ideologjitë e tij, të cilat penguan për 20 vjet ndërtimin e kësaj xhamie, kaq shumë të domosdoshme për besimtarët myslimanë të qytetit të Tiranës, por edhe si një detyrim i madh për të rivendosur të drejtat e shkelmuara, në vendin që meritojnë.”
Më tej kryeministri përfundoi me këto fjalë: “Qeveria, duke shprehur nderimin më të madh ndaj jush, u bën thirrje kryetarëve të bashkive e komunave që me përparësi t’u bëjnë të mundur besimtarëve të besimeve tona të mëdha, por edhe besimeve të tjera, të ngrenë tempujt e tyre aty ku jetojnë. Gjithnjë qytetet kanë pasur xhamitë, katedralet kryesore, por gjithnjë besimtarë i kanë pasur ato afër shtëpive të tyre. Ndaj, të çliruar nga trashëgimia ateiste, dua të pyesni mirë veten para çdo pengesë që mund t’u nxirrni: a mos është kjo një trashëgimi e së shkuarës. Dhe do të mund të jepni përgjigjen më të drejtë”.
Ceremonia
Në këtë ceremoni, ku ishin të pranishëm edhe drejtuesit e komuniteteve fetare në vend, drejtuesit e komuniteteve myslimane në Kosovë dhe Maqedoni, kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe përfaqësues të trupit diplomatik, u firmos edhe dokumenti themeltar për inaugurimin e fillimit të xhamisë së re të Tiranës, Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Selim Muça dhe Kryeministri Berisha.
Basha
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha e cilësoi nisjen e punimeve për ndërtimin e xhamisë së Tiranës, si një nga zhvillimet më pozitive për besimtarët. Ai u shpreh se Tirana është modeli i bashkëjetesës fetare në vend.
“Tirana është model i bashkëjetesës fetare. Kemi parë ngritjen e katedrales së Shën Palit, ngritjen e katedrales ordodokes dhe tani në ngritjen e xhamisë. Ndej keqardhje për kohën e humbur. Jemi dëshmitarë për vëllezërit që falen në ditën e festave rrugëve të Tiranës. Në të kaluarën ka munguar dëshira për ndërtimin e kësaj xhamie”, tha Basha.
Ai shtoi se qytetarët i kanë dhënë besimin që të punoj për ndërtimin e objekteve të kultit.
“Me besim dhe dashuri të madhe për Zotin jemi mbledhur këtu. Për mua besimi që më kanë dhënë qytetarët më kanë bërë të punoj me gjithë faktorët e tjerë që bënë të mundur nisjen e punës për xhaminë e Tiranës”, tha Basha. a.k/noa.al
SHIKONI TE GJITHA FOTOT
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





