

Bruksel, 19 prill 2013, NOA.al/Tinka Kurti- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është deklaruar për marrëveshjen e arritur në Bruskel duke thënë se e konsideron historike. Të dy kryeministrat kanë nënshkruar veçmas marrëveshjen dhe jo në të njëjtën kohë.
“Marrëveshja është bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve tona dhe popujve tanë, prandaj jam i kënaqur që gjendem sot këtu në Bruksel me baroneshën Ashton dhe kryeministrin Daçiç, që kemi arritur këtë marrëveshje për të ardhmen e të dy vendeve tona, të ardhmen europiane”, ka thënë Thaçi.
Ai këtë marrëveshje e ka quajtur njohje të pavarësisë së Kosovës prej Serbisë.
“Jemi të vetëdijshëm se do të ketë njerëz edhe në Kosovë edhe në Serbi që nuk do të jenë të kënaqur me këtë zgjidhje por kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme edhe për Kosovën edhe për Serbinë edhe për rajonin dhe për Bashkimin Evropian”, ka shtuar ai.
Nga ana e saj baronesha Ashton ka uruar palët për nënshkrimin e marrëveshjes.
“Dua t’i uroj të dy për vendosmërinë dhe guximin që kanë pasur gjatë këtyre muajve. Është e rëndësishme që ajo që po shohim tani është një hap më larg nga e kaluara dhe për të dy një hap më afër Europës", u ka thënë Ashton gazetarëve në Bruksel.
Më 26 prill pritet drafti i hartimit për zbatimin e marrëveshjes. “Që të dy palët nuk do ta bllokojnë njëra- tjetrën në rrugën evropiane”, ka thënë zv/kryeministri Hajredin Kuçi.t.k/a.y/noa.al
Sukses në Bruksel, arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





