

Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën për Kosovën, me të cilën edhe një herë mbështet procesin e integrimeve evropiane për vendin.
Rezoluta u bën thirrje pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur ende shtetësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë.
Në këtë votim ka kaluar edhe amandamenti për të shlyer fusnotën nga teksti, ku përmendet emërtimi i Kosovës. Ky tekst ishte vendosur me propozimin e disa deputetëve nga vendet që nuk e njohin Kosovën.Kërkesa për ta shlyer këtë funsnotë ka marrë shumicën e votave në seancën e sotme të Parlamentit Evropian.
Eurodeputetët me shumicë të madhe i miratuan rezolutat për përparim të Kroacisë, Serbisë, dhe Malit të Zi. Eurodeputët e përkrahën zgjerimin e ardhshëm, por megjithatë insistojnë se do të merret parasysh përparimi i çdo vendi kandidat veçanërisht.
Kroacia është e gatshme t’i bashkangjitet BE-së në korrik, vlerësuan eurodeputetët, me ç’rast i bëhet thirrje dy vendeve të fundit anëtare të BE-së, ta ratifikojnë pranimin e Kroacisë në BE (Danimarka dhe Gjermania).
Ajo do të mund të bëhet anëtare kur të gjitha vendet do ta ratifikojnë anëtarësimin e saj. Në raport me Serbinë PE-ja nënvizon se negociatat për anëtarësim duhet të fillojnë në qershor të vitit 2013, nën kusht të mbahen reformat e vërtetuara nga ana e qeverisë serbe në raport me jurisprudencën, luftën kundër korrupcionit, liritë e shtypit dhe mbrojtjen e të gjitha pakicave.
Për Malin e Zi nënvizohet se është arritur përparim solid në rrugën drejt anëtarësimit në BE, si dhe roli të cilin e ka ky vend në stabilitetin e rajonit.
Eurodeputetët megjithatë kërkuan më shumë përpjekje për mbrojtjen e lirisë së shtypit, të drejtat e grave dhe barazisë gjinore.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





