

Të paktën 28 emigrantë të huaj që punojnë në plantacionet e luleshtrydheve janë plagosur mbrëmjen e së mërkurës në komunën Nea Manoladha të prefekturës së Ilias, në gadishullin e Peloponezit, pasi një prej mbikëqyrësve të tyre i ka qëlluar ata me armë zjarri.
Incidenti i përgjakshem në këtë zonë ka ndodhur kur 200 emigrantë, kryesisht nga Bangladeshi, që po protestonin duke kërkuar pagat e gjashtë muajve të fundit, janë konfrontuar me fjalë me tre prej mbikëqyrësve të tyre grekë.
Pasi janë ndezur gjakrat, një prej tyre ka qëlluar me një armë gjuetie mbi turmën, duke plagosur rëndë tetë prej tyre dhe më lehtë të paktën 20 të tjerë.
Të plagosurit janë çuar në spitalet e zonës dhe sipas policisë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, forca të shumta policore janë shpërndarë në gjithë prefekturën e Ilias dhe në zonat përreth për të parandaluar incidente të tjera, pasi gjendja është tepër e tensionuar.
Ngjarja në fjalë, që është dënuar sidomos nga forcat e majta politike të vendit, vjen në një moment kohor kur rastet e dhunës me motive raciste në Greqi po vijnë gjithnjë dhe duke u rritur.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





