

Tiranë, 18 prill 2013, NOA.al- Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një takim me Raporterët e Asamblesë parlamentare të KiE-se, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco, të cilët ndodhen në Shqipëri për të vlerësuar përgatitjet për procesin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të 23 qershorit.
Raporterët e Asamblesë parlamentare të KiE-se, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco i thanë Kryeministrit se qëllimi i tyre në këtë vizitë është të vlerësojnë se si faza përgatitore e zgjedhjeve ka ecur deri tani.
Me tej, në takim u diskutua mbi infrastrukturën zgjedhore dhe masat për një proces konform standardeve ndërkombëtare. Kryeministri Berisha i bëri me dije atyre se arritjet e rëndësishme që janë shënuar gjatë kësaj periudhe, duke filluar nga kuadri ligjor tërësisht i përditësuar, duke implementuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, bazuar tërësisht mbi propozimet e opozitës shqiptare. Nga ana tjetër, u shpreh Berisha, Shqipëria ka sot sistemin më të mirë e më të sigurt që ekziston për numërimin e votave, i cili përbën një garanci të jashtëzakonshme që rezultati që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit do të reflektojë besnikërisht vullnetin e qytetarëve.
Kryeministri Berisha i siguroi Raporterët e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, se qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur për të realizuar në Shqipëri zgjedhjet më të mira të realizuara gjatë dy dekadave të fundit konform standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe u kërkoi atyre të ushtrojnë të gjithë influencën e tyre që në Shqipëri të vijnë sa më shumë vëzhgues ndërkombëtarë për të vëzhguar nga afër procesin e zgjedhjeve.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





