




Tiranë, 18 prill 2013, NOA.al- Seanca e sotme parlamentare ka nisur me debate mes ligjvënësve socialistë dhe Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli.
Gjatë kohës që diskutohej projektligji për patentat evropiane, deputetja Arta Dade deklaroi se Kryeministri Sali Berisha ka patentë për vjedhjen e zgjedhjeve.
Në të njëjtën linjë vijoi edhe deputetja socialiste Mimi Kodheli, e cila theksoi se po shkelet Kodi Zgjedhor, lidhur me institucionet e pavarura për administrimin e zgjedhjeve.
Sakaq deputeti Erion Braçe theksoi se patenta e shtetit ligjor që nga seanca e kaluar nuk ekziston më.
“Në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit iu zhbëtë shtetin ligjor, për sa kohë që ndërmerren akte që nuk kanë asnjë bazë ligjore. Zgjedhjet e lira dhe të drejta i hodhët në erë seancën që shkoi, i keni hequr legjitimitetin Kuvendit. Patenta e Kryeministrit Berisha është patenta e varrmihësit të çdo institucioni në vend”, deklaroi Braçe, citon noa.al.
Në replikë me ligjvënësit socialistë kryeparlamentarja Jozefina Topalli tha se çdo diskutim po bëhet jashtë rendit të ditës, ndërsa referuar shkarkimit të anëtari të LSI në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ajo theksoi me ironi se sot ka “të tretat”.
Drejtuesja e Kuvendit u shpreh se duhet respektuar rendi i ditës dhe të mos shkelet axhenda e Parlamentit.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





