Transmetuar më 18-04-2013, 02:38

Të parët braktisës të Ramës dhe Metës janë votuesit, të cilët nuk dinë kujt ti besojnë ngjalave apo dardhave. Kjo pasi njëri është frut i tokës, e tjetri i ujit. Por së paku, kanë nisur tu tregojnë kryetarëve, se ashtu si dardha edhe ngjala, e ka bishtin prapa.

Nga Basir Çollaku

Ngjalat si dardhat, e kanë bishtin prapa. Në këtë historinë e peshkimit ku ngjalat kanë marrë prioritet të debatit politik, duke ndërtuar vitrinën e tyre të fshehtë, pas koalicionit të fundit ngjalor, një miku im peshkatar po mundohej të më thoshte se çfarë ka surprizë në sjelljen e tyre në faza të ndryshme të stinës. Peshkatari nuk ishte qartësisht i bindur shkencërisht, por thjesht fliste si vëzhgues ndër vite peshkimi në ujërat me dhe pa kripë ku hasen ngjalat. Njeriu i detit po më shkoqiste ngadalë fabulën e tij duke më treguar se ngjalat ne periudhën e shumimit shkojnë në të njëjtin vend. Kalojnë lumenj, grykëderdhje, dete, oqeane, kthehen përsëri, e nëse u gjen kohën e “ndërzimit”, kthehesh për ti gjetur nga vjeshta duke u përzier e rrëshkitur me paqëndrueshmërinë e përhershme. Eh me sa duket edhe ngjalat, ashtu si dardhat e paskan bishtin prapa, sepse tani po zgjatet e po del fije pas fije struktura e marrëdhënies së tyre me gjymtyrët. Mbase ka qëlluar në shenjë peshkatari përvojëshumë. Ata, dashamirësit politikë të ngjalave do të takohen përsëri në të njëjtin vend, por do të gjejnë një mazhorancë të shtuar dhe të fortë në marrje vendimi duke mbetur në siklet shifror aq sa të mos kenë mundësi të marrin veten numerikisht. Pas daljes nga koalicioni më Partinë Demokratike, të majtët të bashkuar me PS-në si kryetarë, port ë shpërndarë si anëtarë, menduan së bashku se llogaritë janë të thjeshta dhe duhet të mbyllin hesapet me qeverinë për punë orësh, paçka se data e zgjedhjeve është ndarë dhe mungojnë rreth dy muajsh e pak ditë. Me librin e ngjalave përpara(jo me bllokun) ia nisën provat në parlament. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte beteja e radhës, ku opozita nëpërmjet Ilirian Muhos si anëtar, kërkonte të ishte përgjysmë edhe në pushtet edhe në opozitë, kërkonte të ishte administruesja e zgjedhjeve në të gjitha zonat, duke pretenduar se është në rregull me ligjin, aq më tepër me marrëveshjet nga ku buron fryma e Kodit Zgjedhor. Për ta bërë këtë, Rama, urdhëroi deputetët e tij të bënin një demonstrim dhunë në seancën plenare të së hënës ku më të zellshmit ishin Gazmir Bizhga, Ndrec Deda, Arben Çuko dhe Sajmir Tahiri. Atëherë ne pamë atë që ndodhi. Kryesisht të mësipërmit, ishin agresivë, të dhunshëm, me sjellje fizike e pakontrolluar, sulm verbal plotësisht të papërputhshëm me sallën dhe përmbajtjen e saj. Kjo ishte harta e largimit të deputetëve socialistë, mbrëmjen e së hënës pas votimit për shkarkimin e anëtarit të KQZ, Ilirian Muho, me motivacionin e fshehjes së shkarkimit të mëparshëm nga detyra me dekret të ish-presidentit Alfred Moisiu. Pamë keqardhur në betejën e humbur nervore më shumë një komunikim fizik, se sa një mendor të grupit të deputetëve të PS, teksa përpiqeshin të nxirrnin me forcë nga salla e Parlamentit, katër kolegët e tyre, të cilët po qëndronin për të vazhduar procesin e votimit. Afërmendsh një fotokopje muskulare dhe dhune e 21 janarit në sulmin e tyre kryengritës ndaj kryeministrisë, ashtu rrodhi shfaqja e vartësve politikë të Edi Ramës. Pritej ndoshta largimi i LSI, nga koalicioni me Partinë Demokratike, formatimi para dhe paszgjedhor mund të ndërtonte disa alternativa ndryshe nga aktualet e mandatit katërvjeçar, por nuk mund të mbeteshin këmbët njëlloj si katër vite më parë kur u nënshkrua marrëveshja. Oferta socialiste ishte përpjekja e dhunshme e një grupi deputetësh për të marrë me vete forcërisht ata çka sipas perceptimit të tyre të dukshëm do të ishin vota socialiste kundër kryetarit Rama dhe modelit të tij. Sigurisht pa precedent si ngjarje. Në konferencë shtypi, kryesocialisti rreket të shkëpusë pak tekst nga deklarimet e diplomatëve kryesorë atij amerikan dhe evropian, si qëndrime mbështetëse ndaj opozitës, nuk mundet të justifikojë imazhet e së hënës ku konvertoi deputetët në agresorë për të mbajtur me çdo kusht anëtarin ku do shpresonte rrëmujën e procesit zgjedhor. Paqartësia e platformës, deficitet e programit, shpeshtësia e braktisjeve, rrëmuja me taksat si vazhdimësi rritjeje, mosbindja e modeleve të dhunshme si kandidatë me të shkuar e të ardhme problematike me drejtësinë, e ka futur Ramën në qorrsokakun nga ku nuk po di të dalë, por veç të shembë shkallë njëra pas tjetrës. Kështu veproi Rama dhe në përfundim të seancës, duke folur për mercenarë, sikur të ishte duke bërë ftesën për një tjetër 21 janar. Kështu në ndëshkim të kësaj ngjarjeje, Byroja e Kuvendit nën drejtimin e Kryetares se Kuvendit, Jozefina Topalli, vendosi “ndalimin për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit në seance plenare dhe në Komisione të deputetëve Gazmir Bizhga, Ndrec Deda, dhe Arben Çuko për 21 ditë, dhe për deputetin Saimir Tahiri për 14 ditë” sepse “këta deputetë me veprime të dhunshme tentuan të pengonin deputetët që të ushtronin funksionin e tyre kushtetuese për të votuar çështjet e rendit të ditës. Deputetët e mësipërm ju morën kartat e votimit, tre deputetëve. Veprimet e mësipërme të dhunshme për të mos lejuar deputetët për të votuar, u shoqëruan edhe me kërcënime e fjalë fyese ndaj këtyre deputetëve” Shpresa e koalicionit ngjalor për të përdorur çdo mjet, madje dhe joligjor për të përmbysur qeverinë lajmëron se të majtët e shpërndarë më tepër se përpara bashkimit, kanë një problem madhor me besueshmërinë. Ata e dinë më mirë se kushdo problemin e krijuar brenda vetes, duke ndërtuar me punën e tyre rrugën drejt mandatit të tretë opozitar, gjithnjë nën kryesimin e koleksionistit të humbjeve z,. Rama. Të parët braktisës të Ramës dhe Metës janë votuesit, të cilët nuk dinë kujt ti besojnë ngjalave apo dardhave. Kjo pasi njëri është frut i tokës, e tjetri i ujit. Por së paku, kanë nisur tu tregojnë kryetarëve, se ashtu si dardha edhe ngjala, e ka bishtin prapa. /Koha Jonë/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit