

Maqedonia, një shtet pa emër dhe me një identitet të mohuar e kërcënuar nga jashtë, ka rrezik të shndërrohet në kazan ku edhe njëherë shteti i dirigjuar nga maqedonasit të ziejë inatin për betejat e humbura identitare dhe kompensimin e tyre në revansh ndaj shqiptarëve
Nga Emin Azemi
EDHE NJË SHUPLAKË E BRUKSELIT PËR MAQEDONINË: Si për inat të politikanëve vendorë, Maqedonia vazhdon të jetë e fokusuar në vëmendjen e diplomatëve ndërkombëtarë. Ende pa përfunduar vizita e përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme të BE, Ketrin Eshton në Shkup, nga Brukseli erdhi edhe një flakareshë e nxehtë për politikanët e papërgjegjshëm. Komesari për zgjerim Shtefan Fyle nuk dha kurrfarë rekomandimi për Maqedoninë sa i përket fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Përpos stagnimeve disavjeçare në kontestin rreth emrit, Maqedonia kësaj radhe ka zhgënjyer Brukselin edhe me mospërmbushjen e marrëveshjes së arritur për tejkalimin e krizës politike në vend si dhe ngecjen e disa reformave institucionale.
E ndodhur ndërmjet presionit ndërkombëtar për daljen nga status-quoja dhe ekzaltimeve të brendshme pas fitores kolosale në zgjedhjet lokale, klasa politike maqedonase në Shkup ende nuk po mundet ta gjejë një maje prej nga do të mundte të vrojtonte pasojat e gabimeve që ajo po i bën hap pas hapi, e ditë pas dite. Fryma deklarative për një rrugë europiane të ecjes së shtetit, sikur ngulfatet nga një frymë tjetër, retrograde, përjashtuese, ksenofobe, e nxitur dhe frymëzuar nga qarqe të afërta me pushtetin, dhe jo rrallë edhe nga vetë pushteti. Pritja si hero, me ceremoni shtetërore, i një krimineli lufte, Johan Tarçullovski, i akuzuar nga Tribunali i Hagës për vepra kriminale kundër civilëve shqiptarë në fshatin Luboten të Shkupit, rikthimi i skenave të tmerrshme me rrahje të fëmijëve shqiptarë nëpër rrugët e Shkupit, shfuqizimi i fitorës së Zijadin Selës në Strugë nga ana e Gjykatës Adminstrativ, janë disa nga majat e aizbergut ku po thehet lundra e cfilitur e demokracisë së brisht maqedonase.
NË KAZANIN E REVANSHIT NDAJ SHQIPTARËVE: Shumë kush që merr mundin të spjegojë drejt këtë lajthitje që po i ndodhë politikës aktuale në Shkup në raport me problematikat që e bëjnë të qëndrueshëm një shtet, sërish ballafaqohet me dilemën nëse krejt kjo ndodhë ratësisht, apo qëllimisht. Një shtet si Maqedonia, me probleme të hapura dhe me konteste të pazgjidhura, nuk i lejohet luksi i të qenit qendra e botës, thuaja se ajo përcakton balancet gjeostrategjike në mes Lindjes e Perendimit. Mediat dhe analistët në Shkup, që po e ushqejnë këtë iluzion për gjoja faktorizimin e Maqedonisë, në fakt po prodhojnë mjegulla para syve të publikut për të humbur qartlsinë e shikimit të pasojave të kësaj politike izoluese që po udhëheq kryeminstri aktual. Në këtë mjegullnajë ka rënë edhe opozita e cila paaftësinë e saj për të vepruar si klasë politike e ndërgjegjshme, e ka shndërruar në baladë të shanseve të humbura. Prandaj dalin të paefektshme edhe apelet e Ali Ahmetit për tejkalimin e pengesave për ta bërë Maqedoninë anëtare të NATO-s. Injorimi i këtij apeli nga ana e kryeminstrit Gruevski, rikonfirmon rrugën njëkahëshe të këtij të fundit dhe paqartësinë se si do të jetë fati i vendi, të cilit po i shtohen budallenjtë që krenohen me mizoritë e kriminelëve dhe me huliganizmin nëpër rrugët e Shkupit.
Maqedonia, një shtet pa emër dhe me identitet të mohuar e kërcënuar nga jashtë, ka rrezik të shndërrohet në një kazan ku edhe njëherë shteti i dirigjuar nga maqedonasit të ziejë inatin për betejat e humbura identitare dhe kompensimin e tyre në revansh ndaj shqiptarëve. Kush mundet ta parandalojë këtë zjarrvënie posht kazanit të çmendurive ala maqedonase dhe a është ky momenti që reflekton një vetëdije pak më të konsliduar për unitet brendashqiptar. Ata që kanë përvetësuar mjeshtrinë e fshejes së përgjegjësive për paudhësitë e bëra, vështirë e kanë të tregojnë një minimum vullnet për ndonjë komporomis. Përkundrazi, ata janë të prirur t’i shkojnë deri në fund rrjedhës logjike të paudhësive të tyre duke inskenuar gjithnjë e më tepër ngjarje me prapavijë etnike. Kontestimi i drejtimit të Strugës nga një shqiptar, shpeshtimi i incidenteve nëpër Shkup, presioni dhe mbivotimi i kuadrove shqiptare nëpër institucionet e shtetit, ka si rezultantë mbulimin e paaftësisë së pushtetit aktual për të menaxhuar me resurset e shtetit. Makineria propagandistike për prodhimin e sukseseve qeveritare dhe konvertimin e tyre në krenari për kombin e vuajtur maqedonas, ka rrezik të shndërrohet në vegël të rrezikshme që do të vriste shpresat dhe aspiratat kolektive europiane të një populli, të ngulfatur në baltën e paqartësive ballkanase.
A PO TESTOHET LOJALITETI EUROPIAN: Republika e Epërme e Maqedonisë të jetë emri që do të përdorej në 7-8 vitet e ardhshme derisa të zgjasin negociatat për anëtarësim në BE. Ky emër do të përdorej erga omnes në të gjitha gjuhët, përpos në gjuhët e dy vendeve, kurse të gjitha çështjet e hapura identitare do të zgjidheshin në kuadër të standardeve të BE-së. Po me këtë emër të ri, Maqedonia do të anëtarësohej edhe në NATO. Ky është propozimi më i ri i ndërmjetësit të OKB, Metju Nimic, i cili vjen pas një seri negociatash e përplasjesh rreth emrit “Maqedoni” në mes të Athinës dhe Shkupit.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga ana e Shkupit sa i përket propozimit për emrin e ri të shtetit, kurse shtypi grek ka sjellur fragmente të një reagimi publik, duke shprehur mospajtim sa i përket versionit të ri të emrit, sepse atributi ‘’E epërme’’shpie në mohim të toponimit më të gjerë gjeografik, siç është Maqedonia. Ende nuk dihet se si do të jetë epilogu i zhvillimeve diplomatike në Bruksel sa i përket të ardhmes së Maqedonisë, por Shkupi zyrtar nuk ka edhe shumë komoditet të mbështesë shpresat tek Brukseli, aq më tepër kur kompromosi rreth emrit do të ishte faktori përcaktues i axhendës europaine të Maqedonisë, së paku para janarit të vitit të ardhshëm kur Greqia do të merr kryesimin e BE-së.
Herojtë dhe budallenjtë e një shteti pa emër, a mund të bëhen bashkë për të lajthitur pjesën tjetër të kthjellur, që ka ngelë e papërcëlluar nga kazani i revanshizmit maqedonas dhe deri kur do të tolerohet kjo zjarrvënie në këtë cep të Europës? Si duket, kohë ka, por nuk ka aq sa mendojnë disa për të ble lojalitet falc europian…
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





